Tirana kryesuese e Superiores ka bërë një përforcim të rëndësishëm për sulmin. Klubi kryeqytetas ka zyrtarizuar marrëveshjen me brazilianin Devid De Silva me një postim në faqen e saj, por pa dhënë detaje për kontratën e tij.
“Klubi i Futbollit Tirana njofton afrimin e sulmuesit Devid De Silva. 25-vjeçari ishte nën vëzhgimin e zyrtarëve të klubit dhe pas kryerjes së të gjitha analizave mjekësore u zyrtarizua afrimi i tij në klub. Sulmuesi shtatlartë pritet të dalë sot në seancën stërvitore për t’u vënë menjëherë nën urdhrat e trajnerit Shehi”, – shkruhet në njoftimin e klubit bardheblu.
De Silva e njeh kampionatin shqiptar, pasi më parë ka luajtur për Kastriotin. Kjo ishte edhe arsyeja kryesore pse drejtuesit e Tiranës zgjodhën këtë futbollist, duke ditur që në merkaton e dimrit nuk ka kohë për prova. Së fundi braziliani ka luajtur në Portugali dhe shihet si një afrim me shumë vlera, që do ta ndihmojë Tiranën në objektivin e fitimit të titullit kampion.
Tirana kërkoi sulmues në merkato, pasi anglezi Majkëll Ngo duhet të kryejë një ndërhyrje kirurgjikale që do ta lërë jashtë fushave për një kohë të gjatë. Trajneri Shehi ka në skuadër edhe dy sulmues të tjerë cilësorë, si Taulant Seferi dhe Redon Xhixha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




