Futboll

Tirana, pa trajnerin Shehi dhe 3 lojtarë ndaj Teutës

Mungesa të rëndësishme për Tiranën para ndeshjes me Teutën, e vlefshme për javën e 20-të të Superiores. E para është ajo e trajnerit Orges Shehi, i cili është i izoluar në shtëpi pas dyshimeve për infektim nga Covid-19. Në konferencën e sotme për shtyp ka dalë ndihmësi i tij, Edlir Tetova, i cili ka konfirmuar edhe mungesën e disa titullarëve.

Maqedonasi Najdovski është në karantinë, sepse rezultoi pozitiv para pak ditësh dhe Tirana nuk do ta ketë të gatshëm të paktën edhe javën e ardhshme. Mbrojtësi i qendrës është një nga lojtarët më të rëndësishëm në prapavijë për bardheblutë.

Agustin Torasa, një nga mungesat e Tiranës ndaj Teutës. Gazeta Si, 19 shkurt 2021

“Po, kemi disa mungesa të rëndësishme ndaj Teutës. Shehi është i izoluar, do të kthehet shumë shpejt, kaq mund të them. Torasa është i dëmtuar në gju, Najdovski ka rezultuar pozitiv me Covid-19 dhe Danso është me 4 kartonë të verdhë”, – ka pohuar ndihmëstrajneri i Tiranës, durrsaku Edlir Tetova. Pra, janë 4 mungesat e sigurta për kampionët në ndeshjen e nesërme me Teutën.

Tirana vjen pas humbjes me Kukësin në kampionat dhe nuk mund t’ia lejojë vetes një tjetër hap fals. Kryeqytetasit kanë mbetur prapa me pikë, çka ka vënë në rrezik pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Pavarësisht mungesave, ata janë të detyruar të fitojnë nesër në “Selman Stërmasi”. Po nesër luhen edhe Apolonia-Bylis dhe Laçi-Kastrioti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë