Tirana vijon të jetë shumë aktive në këtë merkato, duke u përforcuar me lojtarë shumë cilësorë. Pas disa goditjeve të rëndësishme në mesfushë dhe sulm, bardhblutë sot kanë bërë një tjetër afrim me vlerë në repartin difensiv.
Bëhet fjalë për Kristi Vangjelin, njërin prej mbrojtësve më të mirë në kampionatin shqiptar të viteve të fundit. Korçari që në 5 vite ishte një pjesë thelbësore e Skënderbeut në sukseset brenda dhe jashtë vendit. Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediet, Tirana bën me dije se Vangjeli e ka firmosur tashmë kontratën dhe do t’i bashkohet ekipit nën urdhrat e Ardian Memës në fundin e këtij muaji.
“Kristi Vangjeli është zyrtarisht bardheblu. Mbrojtësi korçar ka nënshkruar marrëveshjen që e bën pjesë të Tiranës për një sezon. Vangjeli vjen si një përforcim me shume vlera për skuadrën bardheblu. Ish futbollisti i Skënderbeut do t’i bashkohet Tiranës në ditët e fundit të muajit Gusht”.

Vangjeli pasi u largua nga Skënderbeu e vazhdoi karrierën e tij në Australi, ku tek Adelaide nuk pati suksesin e pritshëm dhe ka vendosur kështu të rikthehet në Superligë. Vlen të përmendet se Kristi Vangjeli ka qenë edhe pjesë e Kombëtares, ndërsa tashmë pritet të jetë një vlerë e shtuar në dispozicion të Ardian Memës për arritjen e objektivave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




