Futboll

Tirana nuk fiton dot as me një lojtar më shumë në Korçë, Erzeni befason Egnatian

Gazeta Si – Tirana mbetet në krizë të thellë në këtë fund kampionati. Kryeqytetasit barazuan sot 0-0 me Skënderbeun në Korçë, ku luajtën gati gjithë ndeshjen me një lojtar më shumë, sepse kundërshtari mbeti me 10 vetë pas daljes me karton të kuq të Rabiu.

Jo vetëm që nuk dominoi, por Tirana rrezikoi shumë të humbiste në Korçë, pavarësisht superioritetit numerik. Skënderbeu shpërdoroi një penallti me anë të kapitenit Liço në pjesën e parë, ku Tiranën e shpëtoi portieri Kozi.

Në ndeshjen tjetër të luajtur sot për javën e 30-të të Superiores, Erzeni mundi 1-0 Egnatian. Ndeshja e luajtur në “Arena e demave’ në kryeqytet u vendos nga një gol shumë i bukur i Agim Zekës. Shijakasit shtojnë kështu shanset për mbijetesë në Superiore, kurse Egnatia ruan kreun, pavarësisht humbjes.

Tri ndeshjet e tjera u luajtën ditën e diel dhe regjistruan këto rezultate: Kukësi-Dinamo 1-1, Teuta Laçi 0-1 dhe Partizani-Vllaznia 0-0.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë