Futboll

Tirana nis spastrimet, priten disa largime në janar

Prej katër ditësh ka nisur merkato në Superligën shqiptare dhe klubet kryesore në vend kanë filluar të bëjnë lëvizjet e para. Një nga klubet që pritet të lëvizë më shumë në këtë merkato, për shkak edhe të nevojave më të mëdha është Tirana. Klubi bardheblu kërkon disa afrime në të gjitha repartet edhe pse trajneri Ardian Mema e ka përsëritur disa herë se blerjet do duhet të jenë cilësore dhe që të bëjnë diferencën me lojtarët aktual që ai ka në dispozicion.

Por para se të fillojnë afrimet te Tirana po mendojnë edhe për largimet. I pari që duket se do të largohet nga bardheblutë është portieri vlonjat, Shpëtim Moçka. Gardiani shtatlartë ishte alternativa e tretë për Memën dhe për këtë arsye do duhet të lërë skuadrën kryeqytetase për t’u ambientuar në një tjetër skuadër. Por edhe mbrojtësi Sedat Berisha pritet të largohet gjatë kësaj merkatoje janari. Futbollisti nga Shkupi që erdhi me bujë gjatë verës, por nuk arriti asnjëherë në formën e tij optimale dhe për këtë arsye do duhet të largohet nga Tirana, pasi Ardian Mema nuk e shikon në planet e tij.

Por largime pritet të ketë edhe në repartin e sulmit, aty ku Tirana ka vuajtur shumë gjatë dy fazave të para. Maqedonasi Blazhevski dhe anglezi Ngo nuk japin garanci për gola dhe pritet që të zgjidhin kontratën gjatë kësaj merkatoje. Por nuk do të jetë i thjeshtë largimi i tyre, pasi të dy sulmuesit janë në kontratë dhe me rroga të majme që peshojnë në arkat e Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë