Gazeta Si – Tirana po përgatitet për një përfaqësim sa më dinjitoz në Ligën e Kampionëve këtë verë. Për këtë arsye, kampionët e Shqipërisë i kanë rritur pretendimet e tyre në merkato. Ata po përpiqen të sjellin në skuadër dy lojtarë të Kombëtares.
Bëhet fjalë për mesfushorin Emanuele Ndoj dhe mbrojtësin Enea Mihaj. I pari në fakt ka munguar në grumbullimet e fundit kuqezi, pasi ka pasur edhe dëmtime, ndërsa i dyti luajti në miqësoren e fundit me Estoninë.

Këta dy futbollistë sigurisht që do ta forconin ndjeshëm Tiranën, por kuptohet që nuk është e lehtë të binden për të luajtur në Shqipëri.
Ndoj e ka të lidhur karrierën me skuadra të Serisë B në Itali, që gjithsesi është një ‘pjacë e lartë’. E njëjta gjë vlen edhe për Mihajn, pjesë e PAOK-ut në Greqi. Ata mund të joshen nga fakti që Tirana luan në Ligën e Kampionëve, por mbeten operacione të vështira për t’u finalizuar.
Mihaj për më tepër ka edhe kerkesa të tjera dhe ka shansin të zgjedhë për të ardhmen. Sigurisht, ai kërkon një kampionat më të fortë se ai shqiptar. Më parë Tirana ka kërkuar edhe ish-mbrojtësin e Kombëtares, Arlind Ajeti.
Kampionët e Shqipërisë kanë humbur në merkato Erjon Hoxhallarin, mbrojtësin e Kombëtares që ka kaluar në Rumani. Taulant Seferi, një tjetër kuqezi, pritet të largohet nga bardheblutë pas ndeshjeve europiane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




