Futboll

Tirana në rënie të lirë, sezoni në fije të perit i një skuadre ‘anemike’ në fushë

Gazeta Si – Tirana e këtij fund sezoni duket një zhgënjim shumë i madh. Në lojë dhe në rezultate, aq sa është vënë në rrezik shumë të madh pjesëmarrja në Kupat e Europës. Nëse kryeqytetasit mbeten jashtë, klubi humbet shumë në aspektin financiar dhe sezoni do të ishte totalisht i dështuar.

Ndeshja e Korçës ‘zyrtarizoi’ krizën e thellë të Tiranës, që luajti për më shumë se 75 minuta me një lojtar me shumë, por në fakt dukej sikur ishte ajo në inferioritet numerik. Skënderbeu e dominoi në lojë dhe shpërdoroi një penallti, ndërsa Tirana u shfaq si një skuadër ‘anemike’, ashtu si dhe në disa ndeshje të tjera.

Trajneri Fagu ka thënë shpesh në daljet e tij të fundit se skuadra vuan presionin e ‘Final 4’, por Tirana nuk është një klub i vogël, periferik apo provincial. Tirana është klubi me më shumë trofe në futbollin shqiptar dhe nëse ajo ndjen atë lloj presioni, do të thotë se të tjerët duhet ta ndjejnë shumëfish. Nuk është aspak një arsye për të justifikuar atë që Tirana jep në fushë.

Rënia e Tiranës është vërtet e frikshme dhe tashmë, me vendin e 6-të në renditje, jo vetëm rrezikon të mbetet jashtë ‘Final 4’, por ndjen edhe kërcënimin nga poshtë të skuadrave që luftojnë për mbijetesë.

Problemi mund të jetë diku tjetër, prej kohësh flitet për borxhe të akumuluara nga klubi. Vetëm pak ditë më parë FSHF i dha një ultimatum 30-ditor këtij klubi për të shlyer borxhin ndaj ish-trajnerit Orges Shehi (30 milionë lekë).

Kanë mbetur edhe 6 ndeshje nga kampionati dhe me një vend të 6-të dhe humbjen 2-0 ndaj Kukësit në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë, Tirana ndodhet në një pozicion shumë kritik. Stafi teknik dhe lojtarët duket se e kanë shumë të vështirë të reagojnë dhe klubi më i titulluar në vend rrezikon të mbyllë një sezon të dështuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë