Futboll

Tirana mundet mes tensionit ndaj Kastriotit, Laçi shpartallon Kukësin

Gazeta Si – Tirana kryesuese ka pësuar një humbje të papritur me Kastriotin, ekipin e vendit të fundit, duke kompromentuar garën e titullit. Në stadiumin e Kamzës, në një ndeshje plot tesnsion dhe protesta, krutanët fituan 2-1, duke shtuar shanset e tyre për mbijetesë dhe njëkohësisht kanë rihapur plotësisht garën e titullit kampion në Superiore.

Braziliani Kaina Nunjes ishte njeriu i kësaj ndeshjeje. Ai realizoi dy golat e fitores për Kastriotin, nga një në çdo pjesë, kurse për Tiranën vetëm sa shkurtoi diferencën i riu Nikqi. Bardheblutë ndalen pas një ecurie shumë të mirë në kampionat dhe ndërkohë ndjejnë presionin e Laçit, që është afruar 3 pikë (46-43).

Momenti kur goditet Gjumsi i Tiranës. Gazeta Si, 20 shkurt 2022

Duhet theksuar fakti se ndeshja pati shumë tension dhe në disa momente ka pasur edhe përplasje mes lojtarëve në fushë, apo stafeve, kryesisht për shkak të lojës së rëndë të krutanëve. Afër fundit të ndeshjes, Gjumsi i Tiranës u godit në kokë me një send të hedhur nga tribuna. Skena që po përsëriten shpesh javët e fundit në Superiore, ndërsa Disiplina vazhdon të mjaftohet me gjoba.

Laçi ndërkohë vazhdon të shfaqet spektakolar. Skuadra e trajnerit Mirel Josa sot mundi thellë, 3-0, Kukësin rival. Një fitore me vlera të dyfishta, pasi kurbinasit lënë pas një rival të drejtpërdrejtë dhe, duke përfituar edhe nga ndalesa e Tiranës, tashmë janë vetëm 3 pikë larg vendit të parë. Malota dhe Akiniemi në pjesën e parë dhe Zulfiu në pjesën e dytë realizuan golat e fitores për Laçin, ekipi më në formë i momentit.

Java e 21-të është mbyllu me ndeshjen Teuta-Dinamo, që u luajt në “Elbasan Arena”. Durrsakët fituan me rezultatin 1-0, me gol të shënuar nga Emiljano Vila në pjesën e parë. Dinamo vazhdon të mbetet në krizë.

Abissnet Superiore, java e 21-të
Të shtunën
Partizani-Vllaznia 1-1
Egnatia-Skënderbeu 2-0
Sot
Kastrioti-Tirana 2-1
Laçi-Kukësi 3-0
Teuta-Dinamo 1-0


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë