Nga Gazeta “Si”- Tirana vazhdon të jetë një ndër kryeqytetet më të shtrenjta në rajon, këtë herë pas Beogradit me një diferencë të vogël, sipas matjeve të muajit qershor 2022.
Numbeo, që mat indeksin e kostove të jetesës sipas kryeqyteteve në botë, përcakton se gjatë këtij viti, Tirana ka një indeks prej 38.4% dhe Beogradi 38.8%, matur me koston e jetesës në raport me qytetin e Nju Jorkut, që e ka këtë tregues 100%.
Treguesi specifik më i shtrenjtë në Tiranë është ai i blerjes në supermarkete, sa 31% e mesatares së Nju Jorkut, ndjekur nga kostoja e një vakti në restorant, ushqim dhe pije, 28.9%. Indeksi i qirave në Tiranë vlerësohet sa 10.8% e Nju Jorkut.
Në krahasim nga fillimi i vitit, kosto totale e jetesës në Tiranë, bashkë me elementët e saj, ka pësuar rënie me 1.1%, por kostot për një familje apo person të vetëm janë rritur deri në 16%.
Në janar 2022, kostoja mesatare për një familje me 4 persona ishte 167.8 mijë lekë, pa përfshirë qiranë, ndërsa në qershor është 200.8 mijë lekë.
Kostoja e raportuar në janar, për një person të vetëm, në një muaj, ishte 47.8 mijë lekë dhe 5 muaj më vonë, 56.9 mijë lekë pa përfshirë qiranë.
Më e lira në rajon është Prishtina e Kosovës, me indeksin në vlerën 26.3% e kostos së jetesës, ndjekur nga Shkupi, në Maqedoninë e Veriut (32.9%), Podgorica në Mal të Zi (34.5%), Sarajeva në Bosnjë Hercegovinë (35.3).
Qytetet më të shtrenjtë në botë ndodhen në Zvicër, si Baseli, ku kosto e jetesës është sa 120% e mesatares së Nju Jorkut. Koston më të ulët të jetesës në raport me Nju Jorkun e kanë qytete në Indi, Pakistan, Sri Lanka, Kolumbi. (15-20%).
(Llogaritjet e Numbeo ndryshojnë shpesh, në varësi të përditësimeve për produkte të ndryshme, duke ndikuar dhe në koston totale të një vendi.)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.