Futboll

Tirana merr një tjetër shuplakë, humbje e çuditshme me Laçin në ‘Selman Stërmasi’

Gazeta Si – Shumë i çuditshëm ky kampionat i Superiores. Ndoshta është efekti i ‘Final Four’ që përcakton titullin dhe pretendentët nuk janë aq këmbëngulës që tani në fillim. Tirana sot ka pësuar humbjen e dytë radhazi në fushën e saj, është mundur 0-3 nga Laçi, që pak ditë më parë u mund të shtëpi nga Dinamo.

Tirana kishte shumë avantazhe për të fituar sot në ‘Selman Stërmasi’. Përveç kualitetit dhe faktit që luante në shtëpi, ishte edhe më e çlodhur, sepse nuk luajti në javën e 6-të derbin me Partizanin. Jo vetëm humbi, por duke pësuar 3 gola.

Për Laçin shënuan Sobouale në pjesën e parë dhe Taleb e Manellari në minutat e fundit. Trajneri Mirel Josa ka debutuar me një fitore të madhe në stolin e Laçit, ku u rikthye vetëm pak ditë më parë.

Me këtë fitore Laçi e ka parakaluar Tiranën në vend të 3-të, me pikë të barabarta. Para tyre janë Egnatia me 13 pikë dhe Skënderbeu me 12. Superiorja luan në fundjavë ndeshjet e javës së 8-të të saj, ku parashikimi i rezultateve është bërë një ‘mision i pamundur’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë