Futboll

Tirana merr një goditje të fortë nga Erzeni, humb dhe mbetet larg kreut

Gazeta Si – Ndeshja hapëse e javës së 14-të mes Erzenit dhe Tiranës, e zhvilluar në stadiumin e Rrogozhinës, është fituar nga shijakasit, me rezultatin e ngushtë 1-0. Një fitore me vlera për Erzenin dhe një goditje e fortë për Tiranën.

Redon Mihana shënoi golin e vetëm të ndeshjes që në pjesën e parë. Ai realizoi me kokë, pas një krosi nga goditja e këndit. Duhet theksuar se Tirana e dominoi lojën, madje arriti të shënonte dy herë, por të dy golat iu anuluan, i pari për një faull ndaj portierit dhe i dyti për pozicion jashtë loje.

Vendimtare në këtë sfidë ishin edhe disa pritje shpëtimtare të portierit të Erzenit, Hasanbelli. Tirana nuk arrin kështu të shfrytëzojë as fushën asnjanëse për të marrë 3 pikë që do ta afronin me dyshen e kreut të renditjes. Kujtojmë që Erzeni e ka mundur edhe në ndeshjen e fazës së parë të kampionatit.

Skuadra kryeqytetase mbetet në kuotën e 21 pikëve, 6 pikë larg kreut, ndërkohë që Partizani dhe Egnatia nuk i kanë luajtur ende ndeshjet e tyre dhe për më tepër të kuq të kanë edhe një ndeshje tjetër të paluajtur, atë me Teutën që nga java e parë. Dhe ndeshja e radhës për Tiranën është derbi me Partizanin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë