Futboll

Tirana mendon që tani për Europën, piketon përforcime nga Vllaznia e Prishtina

Gazeta Si – Titulli është i sigurt për Tiranën, që mund ta nisë festën që këtë fundjavë, pas ndeshjes me Laçin. Trofeu është i garantuar dhe vëmendja e drejtuesve të klubit kryeqytetas është përqendruar te përforcimi i skuadrës për një paraqitje sa më të mirën në Ligën e Kampionëve.

Dy emra janë zbuluar deri tani si objektiva të Tiranës në merkato. Njëri prej tyre është mesfushori i Vllaznisë, Ardit Krymi, një nga më të mirët e Superiores. Krymi ka një përvojë të madhe dhe do t’i bënte punë Tiranës. Ai luan në rolin e shkatërruesit dhe e ndihmon shumë skuadrën në fazën mbrojtëse.

Ardit Krymi, mesfushori i Vllaznise. Gazeta Si, 26 prill 2022

Për momentin është vetëm dëshirë e Tiranës, sepse nuk është e lehtë që lojtari të largohet nga Vllaznia, ku ka kaluar gjithë karrierën e tij. Mesfushori 25-vjeçar po ashtu synon që të provojë një aventurë në një kampionat të huaj, sepse i ka mundësitë me nivelin dhe parametrat që zotëron.

Tirana po ndjek edhe Qëndrim Zybën e Prishtinës. Edhe ky luan në mesfushë dhe sezonin e fundit ka rënë në sy me paraqitjen e tij. Drejtuesit e Tiranës e pëlqejnë 21-vjeçarin dhe do të provojnë t’ia marrin Prishtinës këtë verë.

Një çështje tjetër te Tirana është ajo e rinovimeve me disa futbollistë, të cilëve u përfundon kontrata në fund të sezonit. Kapiteni Erjon Hoxhallari është i pari që ka zgjatur kontratën, tani është radha e të tjerëve. Merkato te bardheblutë mund të ketë edhe në dalje, pasi janë disa lojtarë që mund të shiten, si portieri Bekaj, sulmuesi Seferi dhe ndonjë tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë