Gazeta Si - Klubi i Futbollit Tirana do të vijojë të mbetet në pronësi të presidentit Refik Halili të paktën edhe për një periudhë kohe të pacaktuar.
Gjykata e Tiranës ka vendosur këtë të mërkurë të pezullojë ankandin e thirrur nga përmbaruesi privat deri në shqyrtimin e çështjes me themel.
Pak ditë më parë, Përmbaruesi hapi një ankand për të shitur 66% të aksioneve të Tiranës me vlerë 1.5 milionë euro për shkak të një detyrimi që shoqëria “Halili” i ka Darlin Prezës, trashëgimtar i një testamenti ligjor.
Ky detyrim është konfirmuar edhe me dy vendime gjykate të Shkallës së Parë dhe të Dytë në vitet 2015 dhe 2017.
“Detyrimin e palës së paditur shoqërisë “Halili” të paguajë në favor të paditësit Abedin Treza (Preza) shumën prej 1.541.835 euro si dhe detyrimin e palës së paditur të paguajë kamatat ligjore mbi këtë shumë nga data e paraqitjes së padisë dhe në vazhdim deri në datën e ekzekutimit të vendimit".
Në vendimin e ankandit thuhet se secili ofertues duhet të depozitojë garanci shumën prej 10% të çmimit fillestar, ndërkohë që ankandi është hapur në 18 prill dhe do të qëndrojë i hapur.
Përveç 66% të aksioneve që janë në pronësi të biznesmenit Refik Halili, pjesa tjetër prej 34% është në pronësi të Bashkisë së Tiranës.
Megjithëse ankandi ishte hapur deri në 22 prill, nuk pati asnjë të interesuar për të depozituar shumën 10% dhe më tej për të vijuar me procesin e blerjes së aksioneve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.