Futboll

Tirana jep një shkëndijë në Stamboll, por pëson 3 gola nga Beshiktashi

Gazeta Si – Tirana është mundur 3-1 sot nga Beshiktashi në ndeshjen e parë të turit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Me pak kujdes, skuadra kryeqytetase mund të kthehej nga Turqia me një hnumbje minimale, 2-1, çka do ta bënte më të bukur 90-minutëshin e kthimit, por në shtesë pësoi edhe golin e tretë.

Pjesa e parë ishte e gjitha për ekipin turk, që gjeti rrugën e rrjetës dy herë. Fillimisht realizoi Bulut nga afër portës së Selmanit, ndërsa në fundin e pjesës së parë Muleka dyfishoi shifrat. Në një rast Tiranën e shpëtoi Selmani dhe traversa.

Në pjesën e dytë trajneri Orges Shehi bëri disa lëvizje, duke hedhur në fushë Rimal Haxhiun, Lulajn dhe brazilianin Kaina Nunesh. Ky i fundit do të shënonte golin e vetëm për Tiranën 7 minuta para fundit, duke finalizuar një aksion të bukur nga krahu i djathtë.

Në kohën shtesë Kilicsoi shënoi golin e tretë për Beshiktashin, duke e bërë edhe më të thjeshtë kualifikimin për ndeshjen e kthimit në ‘Air Albania’. Pas një jave luhet ndeshja e kthimit në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë