Futboll

Tirana ia beson sulmin afrikanit që e ka “halë në sy” Partizanin

Tirana e sezonit të ri do të jetë shumë ndryshe nga ajo që pamë në sezonin që lamë pas. Te bardheblutë ka nisur një projekt i ri dhe blerjet e deritanishme e kanë provuar më së miri këtë gjë. Tre goditjet e para, Kale, Torasa dhe Batha kanë sjellë entuziazëm te tifozët dhe kanë rritur së tepërmi besimin për një sezon të mbarë dhe pozitiv duke filluar nga shtatori i ardhshëm.

Për ta përforcuar këtë ide shërben edhe afrimi i fundit te Tirana. Është vija e parë e sulmit që deri më tani ishte cilësuar si një mangësi dhe që duket se në kampionatin e ardhshëm do të mbulohet nga Ismael Dunga. Afrikani që vitin e shkuar ishte pjesë e Luftëtarit ka gjetur akordin me drejtuesit e Tiranës dhe shumë shpejt pritet prezantimi me fanellën bardheblu.

Me afrimin e Dounga, Ardian Mema mund të gjejë disi paqe për sulmin, pasi do të ketë pjesë të ekipit të tij një goleador të lindur. Por keniani gëzon edhe tifozët e Tiranës, për shkak të asaj që ai bëri në një sezon te Luftëtari. Pasi u përshtat në Gjirokastër, në fazën e dytë ai shënoi 10 gola duke e mbajtur Luftëtarin edhe për një vit në elitë me golat e tij.

Por jo vetëm kaq, pasi në sezonin që u mbyll, Ismael Dounga mori edhe nofkën, “vrasësi i Partizanit”, pasi në tre ndeshje arriti t’i shënonte katër herë, më shumë se çdo lojtar tjetër në gjithë kampionatin. Duke pasur këtë statistike ndër mend, Dounga mund t’i bëjë shumë lehtë për vetë tifozët bardheblu, por sigurisht nëse vijon ta ruaj këtë traditë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë