Gazeta Si – Pas atij hapi të gabuar me Laçin në shtëpi, Tirana ka korrigjuar veten. Bardheblutë kanë fituar 0-1 në fushën e vështirë të Bylisit dhe i janë afruar me një pikë Partizanit në krye. Të kuqtë, pas barazimit me Kastriotin, kanë 16 pikë, kurse Tirana 15 pikë.
Ndeshja në Ballsh u vendos nga një gol i Hasanit në pjesën e dytë. Futbollisti kosovar gjuajti bukur nga jashtë zonës dhe realizoi golin me vlerën e tri pikëve.

Vazhdon të hasë vështirësi Vllaznia, që sot nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në fushën e Laçit të vendit të fundit. Madje mund të shkonte më keq për shkodranët, të cilët pësuan gol të parët. Akiniemi zhbllokoi ndeshjen dhe më pas Herald Marku barazoi shifrat.
Ky barazim nuk kënaq asnjë nga dy skuadrat. Vllaznia mbetet larg vendit të parë dhe duket se e ka humbur rrugën e fitores, pasi ka dështuar për ta gjetur në tri javët e fundit. Laçi këtë sezon duket se do të luftojë vetëm për mbijetesë. Kurbinasit qëndrojnë në vend të fundit me 5 pikë.
Java u mbyll nga ndeshja Partizani-Kastrioti, ku nuk pati asnjë gol. Një hap i gabuar ky i Partizanit, edhe pse vazhdon të kryesojë Superioren.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




