Biznes

Tirana hyn për herë të parë në listën e qyteteve eficiente për të bërë biznes

Nga Gazeta ‘Si’ – Tirana për herë të parë këtë vit është renditur në listën e qyteteve europiane që janë më eficiente për të investuar, sa u përket kostove.

Raporti i cili publikohet çdo vit nga FDi Intelligence kërkon të gjejë qytetet dhe rajonet më premtuese për të bërë biznes në të gjithë Europën.

Tirana renditet e gjashta vetëm në një kategori, atë të 10 qyteteve me madhësi të mesme për sa i përket eficiencës së kostove. Në vend të parë është Chisinau e Moldavisë. E dyta është L’viv në Ukrainë.

Prishtina pozicionohet më mirë sesa Tirana, duke u renditur në vendin e tretë. I katërti është sërish nga rajoni, Shkupi i Maqedonisë së Veriut. Në vend të pestë është Eskisehir i Turqisë dhe më pas renditet Tirana.

Sipas metodologjisë së shpjeguar nga FDI Intelligence ka disa elementë që e bëjnë një qytet eficient për të investuar.  

Beogradi renditet i shtati ndër qytetet e mëdha për kapitalin human dhe stilin e jetesës, krahas qyteteve gjermane, suedeze, franceze, belge, holandeze e polake.

Edhe Podgorica është në listën e qyteteve me kosto eficiente, por në kategorinë e rajoneve të vogla.

Në Europë, ‘fituesi’ është Londra

Sipas të dhënave nga raporti, Londra ruan kryesimin në listën e Qytetit Europian të së Ardhmes në kategorinë e qyteteve të mëdha. Në shtatë vitet, që kur vendi votoi për t’u larguar nga BE-ja, Londra vazhdimisht ka mposhtur konkurrencën nga qytetet e tjera të kontinentit.

Amsterdami, kryeqyteti i Holandës, është ngjitur në vend të dytë në renditjen e qyteteve më të mëdha, duke qenë një magnet për firmat e kapitalit, që kërkojnë një bazë në Europë, si dhe një ndër lokacionet më popullore për qendrat e të dhënave.

Energjia e rinovueshme është një nga sektorët kyç që tërheq projekte. Dy sektorët e tjerë që po marrin vëmendje janë projektet e logjistikës dhe të industrisë automotive.

Dy sektorë, që zakonisht kanë qenë tërheqës, shënuan rënie të fortë në 2022, konkretisht pasuritë e paluajtshme dhe gjysmëpërçuesit. Vitin e kaluar, investimet në prona ranë me më shumë se gjysma dhe gjysmëpërçuesit me gati një të tretën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë