Para

Tirana gjithmonë e më e shtrenjtë, rritet me 11 vende në raportin e kostos së jetesës

Kompania financiare Mercer ka bërë renditjen e qyteteve më të shtrenjta për punonjësit e huaj për vitin 2021, ku Tirana ndodhet në vendin e 152, duke u rritur me 11 vende nga vendi i shkuar. Nga viti 2020 në vitin 2021, kostoja e jetesës në Tiranë është bërë më e shtrenjtë. Madje, edhe më e shtrenjtë se kryeqytetet e rajonit si Beogradi dhe Shkupi, pa llogaritur qendrat e tjera si Prishtina e Podgorica.

Mercer ka marrë në shqyrtim rreth 200 lloje mallrash dhe shërbimesh për të analizuar trendin e ecurisë së kostos së jetesës nëpër qytete të ndryshme, për të huajt që punojnë nëpër vende të tjera.

Në raport janë 200 qytete, ku në vend të parë si qyteti më i shtrenjtë për punëtoret e huaj është Ashgabat në Turkmenistan.  Vendin e dytë e ka zënë Hong Kong, ndjekur nga Beiruti në Liban dhe Tokio në Japoni.

Vendet në faqen e parë të renditjes janë qendra biznesi dhe ekonomike për botën, të cilat sidomos pas pandemisë po përballen me rritje të çmimit të banesave dhe një inflacion të përgjithshëm.

Nga vendet e rajonit, Beogradi është e 163-a, rritje me 20 vende nga viti i shkuar. Shkupi në vendin e 191 nga 202 që ishte një vit më parë dhe Sofja në vendin e 165 nga 180.

Stambolli vazhdon të jetë një ndër qytetet më të lira për të huajt, sidomos në raport vjetor. Për vitin 2020 Stambolli pozicionohej i 156 dhe këtë vit në 173.

Bishek, qytet në Kirgistan renditet i fundit, si më pak i kushtueshmi për të huajt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë