Futboll

Tirana fiton derbin e penalltive, Di Biaxho debuton me humbje në Superiore

Gazeta Si – Derbi i javës së parë të Superiores mes Dinamo City dhe Tiranës është fituar 2-3 nga skuadra e trajnerit Orges Shehi. Ndeshja e luajtur në “Elbasan Arena” u vendos nga penalltitë, pasi 3 nga 5 golat u shënuan nga pika e bardhë, i fundit nga Hasani në shtesë.

Dinamo City kaloi dy herë në avantazh, por doli pa pikë nga kjo ndeshje. Trajneri Luixhi Di Biaxho ka debutuar kështu me humbje në Superiore, por duhet theksuar se skuadra e tij bëri një lojë të mirë dhe meritonte më shumë.

Nga ndeshja Dinamo City-Tirana, 2-3. Gazeta Si, 27 gusht 2023

Luis Kaçorri gjeti i pari golin pas 24 minutash, duke gjuajtur saktë me kokë, pas krosimit nga këndi. Hila barazoi për Tiranën me një gjuajtje të befasishme. Në pjesën e dytë blutë fituan me një penallti me VAR për prekje të topit me dorë në zone dhe Denison mposhti Ilion Likën.

Më pas ishte radha e Tiranës të fitonte një penallti po me VAR për një faull të Prodanit ndaj Hasanit. Latifi u tregua i saktë dhe barazoi 2-2. Behiratçe goditi traversën e Tiranës, ndërsa Jonuzi atë të Dinamo City. Në shtesë Tirana fitoi edhe penalltinë e dytë, që i dha golin e fitores së parë për këtë kampionat.

Për javën e parë u luajt sot edhe ndeshja mes Laçit dhe Erzenit, që përfundoi në barazim, 3-3. Kurbinasit udhëhiqnin 3-1, por u barazuan në fund nga shijakasit. Në javën e parë kanë fituar Vllaznia dhe Skënderbeu, ndërsa ndeshja mes Partizanit dhe Teutës është shtyrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë