Futboll

Tirana do hapjen 100% të stadiumit për derbin, UEFA dërgon inspektorët e saj

Sa tifozë do të jenë të pranishëm nesër në derbin Tirana-Partizani? Edhe vetë klubi organizator, Tirana, nuk e di me saktësi këtë gjë, sepse ditët e fundit situata ka qenë pak kaotike.

Tirana ka kërkuar me një shkresë zyrtare hapjen 100% të stadiumit “Air Albania”, ashtu siç ndodhi me Kombëtaren ndaj Polonisë, ku organet kompetente në vend, Ministria e Shëndetësisë dhe Komitetit i Ekspertëve, lejuan pjesëmarrjen e mbi 22 tifozëve. Klubi kryeqytetas nuk ka marrë asnjë përgjigje dhe gjithçka ka mbetur pezull, por duket e vështirë që të lejohen më shumë se 30% e kapacitetit të stadiumit në këtë situatë.

Drejtuesit e Tiranës kanë të drejtë të ankohen për një standard të dyfishtë në këtë rast nga ana e organeve kompetente, megjithatë ky fakt nuk e ndryshon situatën.

Stadiumi “Air Albania”. Gazeta Si, 24 tetor 2021

Në anën tjetër, derbin Tirana-Partizani pritet ta ndjekin nga afër disa inspektorë të UEFA-s, të cilët do të monitorojnë me detaje situatën sa i takon masave të sigurisë në “Air Albania” në një ndeshje me pjesëmarrje të madhe tifozësh. Do të jetë një lloj “provimi” ky derbi dhe ndoshta edhe të tjerët në vazhdim, duke ditur që në muajin maj në këtë impiant është programuar të zhvillohet finalja e Ligës së Konferencës.

Dyshimet e UEFA-s lindën menjëherë pas incidenteve që ndodhën gjatë ndeshjes Shqipëri-Poloni, ku pati hedhje sendesh në fushë dhe ndërprerje loje për 25 minuta. Nëse inspektorët e UEFA-s nuk binden nga mbarëvajtja e derbit, nuk është aspak çudi që finalja e Ligës së Konferencës të spostohet në një vend tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë