Futboll

Tirana dhe Partizani në kërkim të sulmuesve, synohet Sindrit Guri

Gazeta Si – Tirana dhe Partizani janë në kërkim të golave për sezonin e ri. Dy klubet e kryeqytetit kërkojnë të afrojnë patjetër një sulmues kalibri, i cili do të garantonte golat për objektivat sezonalë.

Tirana është zhgënjyer nga braziliani Devid Silva, sidomos nga paraqitja e tij në kupat e Europës. Po ashtu, Taulant Seferi, shënuesi më i mirë i kampionëve sezonin e fundit, është shumë pranë kalimit në një kampionat të huaj.

Nga një derbi mes Partizanit dhe Tiranës. Gazeta Si, 16 gusht 2022

Në këto kushte, Tirana e ka të domosdoshëm afrimin e një sulmuesi me kualitet dhe eksperiencë. Emri që është lakuar ditët e fundit është ai i Vasil Shkurtaj, që veshi fanellën e Kukësit sezonin e fundit.

Edhe Partizani kërkon një sulmues me peshë. Braziliani Stenio Zhunior është larguar dhe si zëvendësues të tij drejtuesit e klubit të kuq kanë piketuar shkodranin Sindrit Guri, por ende nuk ka gjë konkrete.

Guri është larguar së fundi nga Shkëndija e Tetovës, ku luajti sezonin e fundit. Megjithatë, sulmuesi preferon një aventurë tjetër jashtë vendit para Partizanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë