Skuadra e Tiranës ka rezultuar e gjitha negativ pas kryerjes së testeve për COVID-19 dhe udhëtoi të martën në mëngjes drejt Tbilisit për ndeshjen e Champions League.
Lajmi i mirë është konfirmuar pas marrjes së përgjigjeve të analizave për lojtarët, stafin teknik si edhe pjesëtarët e delegacionit që do të udhëtojnë drejt Gjeorgjisë për ndeshjen Dinamo Tbilisi – KF Tirana. Një charter i “Air Albania” mundësoi në orën 07:00 të mëngjesit nisjen drejt Tbilisit dhe kthimin direkt pas ndeshjes që luhet të mërkurën në orën 19:00.
Pas komunikimeve të vazhdueshme dhe këmbënguljes së FSHF-së u bë e mundur që pala gjeorgjiane të binte dakord për protokollin sanitar të miratuar më parë nga UEFA, duke marrë parasysh dhe masat kufizuese të vendosura nga qeveria e Gjeorgjisë. Kësisoj, KF Tiranës do t’i mjaftojnë vetëm përgjigjet e analizave të kryera në Shqipëri për të udhëtuar drejt transfertës së Champions dhe nuk do të ketë nevojë për testime të mëtejshme me të mbërritur në Tbilisi.
Me të mbërritur atje skuadra kampione e Shqipërisë do të stërvitet normalisht dhe do të kryejë të gjitha përgatitjet e duhura për ndeshjen e parë të turit kualifikues.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




