Gazeta Si – Tirana ka zhgënjyer përsëri tifozët e saj, duke shtyrë sërish festën e titullit kampion. Bardheblutë e kanë ulur ritmin prej kohësh dhe pas ‘dhuratave’ për Kastriotin dhe Laçin, sot i kanë bërë një të tillë edhe Teutës, me të cilën barazuan 1-1 në “Selman Stërmasi”.
Vesel Limaj shënoi golin e avantazhit për Tiranën në pjesën e parë, në të dytën durrsakët barazuan me Sebino Plakun, pak minuta pasi ai ishte futur në fushë. Redon Xhixha u ndëshkua me karton të kuq në fund, duke humbur kështu derbin me Partizanin, që do të luhet të shtunën në Elbasan.

Pas përfundimit të ndeshjes pati edhe momente tensioni, teksa lojtarët e Tiranës tentuan të përplaseshin me arbitrin Laver Alla, i cili u mbrojt nga policët. Duhej të ishte ditë feste, por u kthye në një tension të pakuptimtë.
Laçi nuk ka gabuar në Rrogozhinë, ku fitoi 0-2 dhe tashmë është 10 pikë pas Tiranës. Sulmuesi Guindo realizoi të dy golat e fitores për skuadrën e Duros ndaj Egnatias.
Një fitore prestigji ka arritur Skënderbeu, që mundi 2-0 Kastriotin, ekipin më në formë të momentit. Edhe pse të rënë nga kategoria, korçarët bënë një paraqitje mjaft të mirë, të konkretizuar me golat e Mensah dhe Pusit. Java e 31-të e Superiores mbyllet të enjten me Dinamo-Vllaznia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




