Treg

Tirana “çmendet “ nga çmimet por shqiptarët duan shtëpi në qendër

Raporti i Stabilitetit Financiar të Bankës së Shqipërisë tregon se çmimet e pasurive të paluajtshme kanë pësuar rritje në shkallë vendi me 1,8% në gjashtëmujorin e parë të 2019-ës krahasuar me një gjashtëmujor më parë.

Rritja është ndjerë më shumë në Tiranë (2,6%), kryesisht në qendër të saj. Çmimet mesatare janë rritur në qendër të kryeqytetit (+3.2% ), por kanë qenë relativisht të qëndrueshme në zonat e tjera të tij.

Megjithatë referuar përgjigjeve të agjentëve të pasurive të paluajtshme të pyetur nga Banka, kjo nuk i ka stepur qytetarët të investojnë në pasuri të paluajtshme. Madje sipas tyre, qytetarët kanë preferuar më shumë qendrën.

Çmimet në bregdet nuk kanë shfaqur ndryshime të dukshme krahasuar me një gjashtëmujor më parë, megjithatë kërkesa për të blerë në bregdet është ulur.

Sipas Juliana Nelës nga RE/MAX, rënia e kërkesave për blerje të pasurive të paluajtshme në bregdet ka ardhur si pasojë e bllokimit të shitjes së një pjese të tokave në këto zona për të realizuar verifikimin e pronësisë.

Në tregun e pasurive të paluajtshme, kërkesa dhe oferta raportohen të zgjeruara nga BSH, por rritja e kërkesës vlerësohet të ketë qenë disi më e lartë.

Kjo shpjegohet me rritjen e kredisë së individëve për blerje pasurish të paluajtshme, e favorizuar nga normat e ulëta të interesit dhe lehtësimi i kushteve të bankave për këtë lloj kredie.

Këtë e konfirmojnë edhe raportimet e agjentëve të tregtimit të pasurive të paluajtshme, të cilët tregojnë edhe për rënie të numrit të pronave të pa shitura për disa tremujorë radhazi, rritje të numrit të pronave të shitura dhe shkurtim të kohës së shitjes.

Oferta në tregun e pasurive të paluajtshme vijon të mbështetet nga ecuria e mirë e kredisë për ndërtim, e cila ka vijuar të rritet ndonëse me ritme më të ngadalta në krahasim me gjashtëmujorin e mëparshëm.

Sipas agjentëve, rreth 46% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Kjo shifër shënon rënie në krahasim me vlerën prej 54% të raportuar në periudhën paraardhëse. Rreth 65% e këtyre pronave rezultojnë të blera me kredi që mbulojnë deri në 80% të vlerës.

Të dhënat mbi numrin e lejeve të ndërtimit tregojnë që interesi për ndërtime të reja vijon të jetë i lartë, por fluksi i lejeve të reja gjatë tremujorit të parë të vitit 2019 ishte më i ulët në krahasim me dy tremujorët e fundit të vitit 2018.

Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi raportohet të jetë mesatarisht 9.9 muaj ose mbi 1 muaj më e shkurtër se në gjashtëmujorin e kaluar.

Për Tiranën, subjektet e intervistuara kanë raportuar një kohë mesatare shitjeje prej 11.1 muajsh ose 1.2 muaj më të gjatë se ajo e raportuar në gjashtëmujorin e kaluar.

Për zonën e bregdetit, koha e shitjes është rritur nga 7.4 muaj në rreth 8.3 muaj, ndërsa për zonat e tjera koha e shitjes është shkurtuar në mënyrë të ndjeshme, nga 13.2 muaj në 9.2 muaj.

Agjentët thonë se janë optimistë për ecurinë e tregut të pasurive të paluajtshme në afatmesëm dhe afatgjatë, dhe përgjithësisht situata në këtë treg vlerësohet e qëndrueshme. Për periudhën e ardhshme, agjentët presin rënie të numrit të pronave të reja që do të regjistrohen për shitje dhe rritje të çmimeve të pronave të paluajtshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë