Gazeta Si – Për të tretën herë radhazi Tirana do të zbresë në fushë për të siguruar matematikisht titullin kampion në Superiore. Bardheblutë presin Teutën në “Selman Stërmasi” dhe gjasat më të mëdha janë që sot të hapin shampanjën e titullit të radhës.
Kryeqytetasit i kanë humbur dy ndeshjet e fundit ndaj Kastriotit dhe Laçit, ku përqendrimi ka rënë edhe për shkak të diferencës së madhe të pikëve me ndjekësit. Aktualisht Tirana është 12 pikë para Laçit të vendit të dytë dhe mjafton një fitore sot ndaj Teutës për të festuar titullin 4 javë para mbylljes së kampionatit.

Nuk do të jetë festa zyrtare e klubit, por një minifestë në stadium për këtë sukses të merituar të skuadrës së Orges Shehit, që ka bërë një kampionat vërtet shumë të mirë. Do të jenë pikërisht kampionët në fuqi të Teutës që do t’u dorëzojnë trofeun kampionëve të rinj.
Laçi sot luan në Rrogozhinë ndaj Egnatias, Skënderbeu pret Kastriotin në Korçë, kurse Dinamo dhe Vllaznia ndeshen nesër në Elbasan, në ndeshjen e fundit të javës së 31-të të Superiores.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




