Politike

‘TIMS’ i mbyll derën medias me kërkesë të PS, Salianji: S’e kuptoj, të dhënat e shtetit kanë dalë sheshit (kush raportoi)

Mbledhja e TIMS u zhvillua sërish të martën me dyer të mbuluara. Fillimisht raportoi drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni.

Vetëm me votat e socialistëve u miratua kërkesa e Hysenit për mbledhje të mbyllur me argumentin se informacionet përbëjnë sekret. Nga ana tjetër, opozita e kundërshtoi.

Në nisje të mbledhjes palët u përfshinë nga një debat për shkak të mungesës së Hysenit në mbledhjen e kaluar të 26 qershorit.

"E kishim të pamundur paraqitjen në datë 26 për shkak të një angazhimi të detyrueshëm të konfirmuar muaj më parë, lidhej me dy arsye madhore, takimi me asistentin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për inteligjencën për të diskutuar për çështje të sigurisë rajonale dhe për të diskutuar për angazhimin e SHISH në kuadër të inteligjencës së NATO-s.

Një angazhim tjetër ishte paraqitja e drejtorit të SHISH në samitin e NATO-s në Uashington që pritet të mbahet me 10 korrik. Në asnjë rast SHISH apo drejtori nuk i është shmangur raportimit para komisionit. Kërkoj që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura, duke pasur parasysh se flitet për problematika që lidhen me sigurinë kombëtare. Të mbrohen të dhënat e klasifikuara", tha Hyseni.

"Ju jeni sot këtu dhe s’kemi ç’të themi më shumë, përveçse se nga çfarë kemi parë nga dokumentacioni i deritanishëm që disponojmë në raport me çështjen, nuk shoh asnjë element që të përbëje sekret shtetëror. Duke pasur parasysh që kemi të bëjmë vetëm me aspekte procedurale dhe aspekte që janë zbuluar në publik, propozoj që mbledhja të bëhet e hapur, në çdo rast që ka informacion të klasifikuar drejtoresha mund të kërkojë mbledhje me dyer të mbyllura", tha Salianji.

Edhe dëshmia e Florian Sulejmanit, Drejtor i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, me kërkesë të tij dhe me votat e socialistëve u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa e njëjta kërkesë e ish-kreut të AMP Ardi Veliu ngjalli debate të forta.

"Të dhënat janë sensitive, që kanë të bëjnë me të dhëna personale, aplikacione e sisteme të cilat në vlerësimin tim profesional është mirë të ruhet konfidencialiteti dhe të mos bëhen pjesë e opinionit publik. Mos bërja publike do i shërbejë forcimit të sigurisë kombëtare'

"Pse problem është bërja publike apo vjedhja e të dhënave. Ku ka ngelur gjë pa dalë në këtë shtet...”, replikoi Salianji. Me kërkesë të PS edhe Ardi Veliu raportoi me dyer të mbyllura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë