Futboll

Tifozi nga Argjentina bën mbi 11 mijë kilometra për të takuar Uzunin

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni, po kalon një formë të shkëlqyer me Granadën në Spanjë.

14 golat e shënuar në këtë sezon e kanë bërë sulmuesin beratas, i cili ka mbajtur në disa ndeshje edhe shiritin e kapitenit te Granada, idhullin e tifozëve vendas.

Të gjithë janë të çmendur pas Uzunit dhe këtë e vërteton më së miri rrugëtimi që një tifoz i Granadës nga Argjentina, ka ndërmarrë për të takuar idhullin e tij më të madh.

Vogëlushi nga provinca e Tukaman në Argjentinë ka përshkruar mbi 11.600 kilometra për të parë nga afër duke luajtur sulmuesin kuqezi në stadiumin e skuadrës së tij të zemrës.

Dhe lodhja e mundimi ja vlejtën pasi Granada ia plotësoi ëndrrën djaloshit argjentinas për të takuar nga afër Myrto Uzunin pas ndeshjes me Kartagjenën, ku sulmuesi shënoi një tripletë.

Në ambientet e jashtme të stadiumit, Uzuni u ndal të përqafonte fansin e tij, duke shkëmbyer një bisedë të shkurtër me të. Uzuni i ka firmosur edhe fanellën me numrin 10 që djaloshi argjentinas mbante veshur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë