Gazeta Si – ‘Tifozat Kuq e Zi’, tifo-grupi kryesor i Kombëtares shqiptare, feston 20-vjetorin e krijimit. Dhe sot këta tifozë e jo vetëm nuk do të mbushin stadiumin, por Sheshin Skënderbej, ku kanë organizuar një festë të madhe në formën e një koncerti, me shumë të ftuar.
Vetë tifo-grupi ka bërë me dije detajet e festës që nis në orën 18:00, me këngëtarë të ftuar nga gjithë trevat shqiptare. Nuk ka munguar për këtë rast mesazhi i urimit të presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili e konsideron këtë grupim si simbol dhe shumë të rëndësishëm në rrugëtimin e Kombëtares.
Mesazhi i Dukës
Ky fundviti, përveçse kulmoi me kualifikimin historik të Kombëtares për në finalet Euro 2024, sjell edhe një tjetër moment të rëndësishëm. Grupimi “Tifozat Kuq e Zi” feston 20-vjetorin e themelimit. Bëhet fjalë për ata që janë prej dy dekadash, lojtari i 12-të i Kombëtares.
Nuk kanë munguar kurrë në apel. Kanë qenë gjithmonë aty. Në të mirë e në të keq, në shtëpi apo në transfertë, Tifozat Kuq e Zi kanë mbështetur pa asnjë kursim Kombëtaren shqiptare. Ata pa u lodhur, kanë frymëzuar e motivuar djemtë e skuadrës tonë të zemrës pa pushim.
Janë kthyer në një simbol e mbështetje e madhe për Kombëtaren, duke u bërë një pjesë e pandashme dhe e pazëvendësueshme e saj. Na kanë bërë krenarë çdo herë dhe në çdo ndeshje, duke qenë një burim force për ekipin, por edhe për të gjithë të tjerët.
Në këtë përvjetor të veçantë, i uroj TKZ-së edhe 100 vite të tjera në këtë mision kaq të bukur dhe të pazëvendësueshëm. Uroj të vazhdojnë ta mbështesin Kombëtaren edhe më shumë në të ardhmen, duke valëvitur gjithmonë lart flamurin shqiptar në çdo stadium të botës dhe duke kënduar “O sa mirë me qenë shqiptar”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.