Tifogrupi më i madh i Kombëtares shqiptare, Tifozët KuqeZi, me anë të një komunikate të publikuar në faqen e tij në Facebook, i bën një kërkesë qeverisë shqiptare për të lejuar tifozët në stadium gjatë ndeshjeve kualifikuese.
Po ashtu, ky tifogrup kërkon që edhe FSHF-ja të kërkojë nga autoritetet shtetërore lejimin e tifozëve në ndeshjet e Kombëtares. Të vetëdijshëm për situatën me pandeminë, tifozët kuqezi duan që të veprohet sipas udhëzimeve të UEFA-s dhe autoriteteve shëndetësore.

Ndeshja e parë kualifikuese e Shqipërisë në shtëpi është ajo me Anglinë, që luhet më 28 mars. Tifozët më fanatikë të Kombëtares duan ta mbështesin atë nga afër pas një kohe të gjatë.
Komunikata e TKZ
Duke marrë parasysh që Kombëtarja jonë është pranë një cikli kualifikues mjaft të rëndësishëm, gjithashtu duke pasur parasysh fillimin e vaksinimit kundër COVID-19, kërkojmë nga Qeveria Shqiptare të bëjë të mundur lejimin e pjesëmarrjes së tifozëve nëpër ngjarje sportive.
Jemi të vetëdijshëm për situatën me pandeminë, por po ashtu jemi dëshmitarë të shumë vendeve me statistika më të rënduara me COVID-19, që kanë lejuar pjesëmarrjen e tifozëve në masën 30% të kapacitetit të stadiumit (sipas udhëzimeve dhe protokollove të UEFA-së dhe autoriteteve shëndetësore).
Me këtë rast kërkojmë nga FSHF që të shtojë presionin tek autoritetet shtetërore, që ndeshjet e ardhshme të Kombëtares të luhen me praninë e lojtarit të 12-të.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




