Politike

TI: Korrupsioni pengoi luftën kundër pandemisë në Shqipëri

Shqipëria nuk ka bërë këtë vit ndonjë përparim të konsiderueshëm në luftën kundër korrupsionit përgjatë vitit që lamë mas. Ky është përfundimi në të cilin arrin raporti i fundit i Transparency International, për vitin 2020, i cili thekson se korrupsioni vazhdon të mbetet një problem madhor në Shqipëri, duke penguar edhe luftën kundër pandemisë.

Për vitin 2020, Shqipëria u vlerësua me 36 pikë dhe u rendit në vend të 104-të në mes 180 vendet që vëzhgon raporti dhe e fundit në Europë. Në krahasim me vitin 2019, vendi ynë është rritur me një pikë dhe me dy vende mes 180 shteteve. Por pavarësisht rritjes me pesë vende që nga viti 2013, Shqipëria vazhdon të jetë në grupin e vendeve me korrupsion të lartë dhe pa përparim në luftën kundër tij.

Shqipëria renditet më keq se Serbia dhe Mali i Zi dhe më mirë se sa Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje Hercegovina. Në krye të listës, si vende të pakorruptuara renditen Danimarka, Zelanda e Re, Finlanda, Singapori, Suedia dhe Zvicra, dhe Norvegjia.

Në përmbledhjen e raportit, TI thekson se korrupsioni dëmtoi edhe reagimin e sistemit shëndetësor ndaj Covid-19, dhe ndikon në një krizë të vazhdueshme të demokracisë.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit vlerëson 180 vende dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik.

Në një shkallë nga 0 në 100 – ku 0 tregon korrupsion të lartë dhe 100 mungesën totale të korrupsionit, Shqipëria është vlerësuar me 36 pikë në vitin 2019. Mesatarja e përgjithshme botërore është 43 pikë, ndërsa mesatarja e Evropës është 66 pikë, që tregon një diferencë të madhe të Shqipërisë me vendet europiane.

Raporti i këtij viti ka analizuar se si korrupsioni është reflektuar edhe tek pasojat për përballimin e pandemisë, duke ngritur shqetësimin se ka ndeshur probleme në këtë drejtim në Shqipëri.

“Kemi vërejtur shqetësime në lidhje me transparencën edhe në prokurimin publik të lidhur me COVID-19. Dhe kjo është diçka që me të vërtetë meriton shumë vëmendje nga ana e qeverisë. Do të ishte shumë inkurajuese nëse qeveria të reagonte për ato shqetësime”, thotë Lidija Prokic, Këshilltare Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore në këtë organizatë.

Por shqetësimet e TI shtrihen përtej zbatimin e rregullave anti-korrupsion.

“Kanë të bëjnë edhe me trajtimin e shoqërisë civile dhe trajtimin e mediave të pavarura dhe gazetarëve investigative. Jemi dëshmitarë që pretendimet e tyre shpesh hidhen poshtë dhe se ata trajtohen si një lloj opozite në vend që të shihen si një faktori korrigjues në shoqëri”.

Duke iu referuar paketës anti-shpifje, zonja Prokic thotë se është një çështje shumë e ndjeshme dhe se këto veprime kanë ndikim tek lufta kundër korrupsionit.

“Ato jo vetëm që shkelin lirinë e shprehjes së qytetarëve, por gjithashtu frenojnë, ose më saktë kanë një efekt frikësues dhe paralizues tek njerëzi që ndoshta mund të vendosnin të raportonin raste korrupsioni ose të paraqisnin prova për akuzat për korrupsion”, thotë zyrtarja e Transparency International.

Prokic thotë se ngecja në këtë nivel për pothuajse një dekadë tregon mangësitë në sundimin e ligjit.

“Pa këtë sundim funksional të ligjit, institucionet nuk janë në gjendje të punojnë në mënyrë efektive dhe të ndjekin rastet e korrupsionit”, thotë ajo.

Zonja Prokic thotë gjithashtu se ajo që ndikon tek mungesa e përmirësimit është ndikimi politik mbi sistemin gjyqësor, mungesa e kapacitetit të institucioneve dhe mungesa e pavarësisë së institucioneve gjyqësore kryesisht për të proceduar rastet e korrupsionit.

Këto dukuri thotë ajo, i sheh si në Shqipëri, edhe Kosovë, po ashtu si edhe prirjen për mungesë transparence kur bëhet fjalë për prokurimet publike.

“Dhe nuk flas vetëm për procesin e prokurimit kur tenderët shpallen dhe vendosen, por kjo vlen edhe për menaxhimin e kontratave publike. Është shumë e rëndësishme që kjo të bëhet në një mënyrë transparente dhe të sigurojmë që këto kontrata të mos merren vetëm nga kompanitë që janë pranë vendim-marrësve në institucionet shtetërore”, thotë ajo.

Një nga aspektet që ka analizuar për vitin 2020, Transparency International është edhe lidhja mes shkeljeve të standardeve demokratike në përgjigjen ndaj COVID-19-ës dhe nivelit të korrupsionit në vend. Sa më i lartë korrupsioni, aq më të larta shkeljet.

Kosova

Dallimi për Kosovën, thotë zonja Prokic është tek të veçantat e zhvillimeve politike atje.

“Situata në Kosovë është vërtet e mbingarkuar me çështje që janë thellësisht politike dhe kjo ka çuar mendoj në ngecje të përpjekjeve anti-korrupsion”, thotë ajo.

Ajo shton se kuadri institucional dhe ligjor po formohet dhe kjo jep arsye për një optimizëm të matur.

“Por që të mund të themi se vendi me të vërtetë po përpiqet të bëjë ndryshime të thella, duhet të shohim që ato ligje po zbatohen dhe institucionet janë plotësisht funksionale. Dhe kjo akoma, për fat të keq mungon”, thotë ajo.

Si Kosova, edhe Shqipëria kanë vend për përmirësim kur bëhet fjalë për liritë e medias, lirinë e shprehjes, lirinë e tubimit dhe shoqërinë civile.

“Niveli i demokracisë është I lidhur ngushtë me efektivitetin dhe suksesin në luftën kundër korrupsionit”, thotë zonja Prokic.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë