Pa i përmendur emrin, por duke lënë të kuptohet qartazi se mesazhi është për Ilir Metën sa kohë që ky i fundit ka përmendur ”sfurqet” për të mbrojtur votën, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka përcjelle një mesazh të fortë në Twitter të premten në mbrëmje.
“Është e papranueshme për cilindo që të kërcënojë se qytetarët do marrin “sfurqet” më 25 prill, nëse nuk pëlqejnë rezultatin e zgjedhjeve.
Këto kërcënime duhen dënuar. Ata që nxisin dhunë do të mbahen përgjegjës për rezultatet e fjalëve dhe veprimeve të tyre. Ndal”, shkruan ambasadorja amerikane Yuri Kim në Twitter.
Pas këtij mesazhi, vjen “Live” edhe reagimi përplasës dhe i paprecedentë i Ilir Metës i ftuar në “Syri Tv”.
“Tani live sapo më shkruajti Ambasadorja Yuri Kim për të mos përmendur më cfurqet. I them Ambasadores amerikane live që të mos marrë më në mbrojtje Edi Ramën.
Meqë më dërgoi live sms i them Ambasadores Amerikane mos e mbështet më Edi Ramën.
Meqë jam transparent po ju them edhe një fakt që Ambasadorja Amerikane më ka kërkuar mua si President, një ditë para mbledhjes së KED-së të pranoj unë Adrian Dvoranin. Këtë ajo e kërkoi jo në emër të Amerikës, po në emër të Edi Ramës.
E përqafoj ambasadoren amerikane dhe i them boll ndërhyre në punët e brendshme të Shqipërisë në këtë mënyrë të njëanshme”, tha ai.
Ilir Meta nuk u ndal me kaq. “Deklarata e Yuri Kim është një turp dhe e ftoj Ambasadoren të vijë tani Live në studio bashkë me Edi Ramën të ballafaqohemi para shqiptarëve”
Për reagimin e Ilir Metës pati një qëndrim edhe nga kryeministri Edi Rama i ftuar në emisionin “Open”
“Komentin që bëj e bëj duke thënë që më 25 prill përveç të tjerave duhet votuar për dinjitetin e Shqipërisë që është bërë zhele nga një president zhele. Është e pakonceptueshme për një vend që javën e ardhshme pret stërvitjen e organizuar nga NATO, është kandidat për BE, të dëgjosh një të dehur totalisht që fatkeqësisht është presidenti i Shqipërisë.
Problemi nuk është farë sot por çfarë Shqipërie duan shqiptarët për të nesërmen. Një Shqipëri që të futet në një kurs përplasje me botën apo të çlirohet nga Ilir Meta dhe Sali Berisha dhe t’i japë PD një arsye të fortë për të reflektuar pas kaq vitesh në mohimin e realitetit. Kjo është zgjedhja.
Të komentosh një njeri që është komplet jashtë binarëve dhe është fatkeqësi e madhe. Shqipëria është pa President sot. Ai është hedhur nga dritarja si agjitator i dhunës dhe tensionit. Të arrihet të flitet si një kastravec, dhe t’i thuash ambasadores boll mbrojtje Edi Ramën. Fatmirësisht është 25 Prilli dhe shqiptarët vendosin se me çfarë fytyrash duan të përfaqësohen në botë dhe çfarë karakteri do të ketë ky vend. Jam I bindur që goditja ndaj Ilir Metës dhe Sali Berishës do të jetë një moment i rëndësishëm për të tejkaluar politikën e këtyre 30 viteve”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




