Ka ndodhur

Thyen masën e ‘arrestit në shtëpi’ dhe lëvizte i armatosur, arrestohet 36-vjeçari në Durrës

Gazeta Si – Një 36-vjeçar i konsideruar si “shtetas me rrezikshmëri të lartë për komunitetin”, është arrestuar nga policia e Durrësit pasi u kap teksa lëvizte i armatosur në qytet

Mësohet se Dritan Memolla me disa precedentë penalë u kap teksa lëvizte me këmbë, ndërsa njëkohësisht ishte duke shkelur masën e sigurisë së arrestit në shtëpi.

Së bashku me të, janë proceduar penalisht për moskallëzim krimi edhe 2 shtetas të tjerë, babë e bir, të cilët shoqëronin të arrestuarin Dritan Memolla në qytet.

Sipas policisë, bëhet fjalë për një person me rrezikshmëri të lartë për komunitetin. Ajo që njofton policia është se në fakt 36-vjeçari duhej të qëndronte në shtëpi, sepse ishte me masën e sigurisë arrest shtëpie. Kjo vendosur pas një aksidenti rrugor me pasojë vdekjen.

Përveç kësaj ai ka precedentë të theksuar kriminal për krime në fushën e narkotikëve. Në kuadër të këtij operacioni, u proceduan në gjendje të lirë edhe N. K., 56 vjeç e K. K., 22 vjeç (babë e bir), të afërm  të 36-vjeçarit.

Ata akuzohen për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” dhe po shoqëronin Memollën kur u kap nga policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë