Ne rrjet

Thomas Homan, kush është njeriu i ‘tolerancës zero’ që do të merret me çështjen e emigracionit për Trumpin

Ish-agjent i Patrullës Kufitare, më pas drejtor i “Ice” (Agjencia që Monitoron Kufijtë), ai është në përputhje të përkryer me vizionin e presidentit të zgjedhur amerikan. Vështitësitë janë mbi të gjitha të lidhura me territorin e thyer dhe fuqinë e narkotrfikantëve

Gazeta Si- Thomas Homan është "Cari i kufirit" amerikan, njeriu i emëruar nga Donald Trump për t'u marrë me çështjen e emigracionit.

Një zgjedhje e bekuar menjëherë nga Elon Musk me një postim në platformën e tij “X”. Zyrtari i emëruar orët e fundit, vjen nga fusha dhe e di mirë se çfarë e pret.

Ish-agjent i Patrullës Kufitare, më pas drejtor i “Ice” (Agjencia që Monitoron Kufijtë), ai është në përputhje të përkryer me vizionin e presidentit të zgjedhur amerikan.

Zero tolerancë dhe angazhim masiv. Misioni i tij do të jetë të menaxhojë dëbimin e emigrantëve të paligjshëm.

Gjatë fushatës zgjedhore presidenti i ri tregoi 11 milionë si shifër, edhe pse burime të tjera e kanë ulur ndjeshëm objektivin.

Fillimisht, objektiv do të jenë personat me precedentë penalë dhe të cilët tashmë i janë nënshtruar një urdhri dëbimi. Rreth 1.3 milionë.

Megjithatë, rrjeti do të zgjerohet në mënyrë progresive duke kërkuar punëtorë të paligjshëm në vendin e punës, një procedurë që Joe Biden e kishte anuluar.

Dhe rreth 500 mijë persona të legalizuar, sërish nga Shtëpia e Bardhë, të ardhur nga Kuba, Haiti, Venezuela dhe Nikaragua, janë në rrezik.

Ekziston edhe frika se mund të rikthehet taktika e ndarjes së familjeve të ngecura në kufi, një sistem që kishte ngritur shumë protesta.

Por vetë Homan, në disa intervista, ka deklaruar se çdo burim apo mjet federal do të përdoret për të mbajtur premtimin e dhënë ndaj votuesve. Dhe ata që votuan për të (duke përfshirë shumë “amerikanolatinë”), duan të shohin rezultatet.

Në muajt e fundit kandidati republikan dhe stafi i tij, në veçanti Stephen Miller, arkitekti i operacionit, kanë treguar udhëzimet mjaft të përgjithshme të planit.

Së pari. Përdorimi i çdo agjencie sigurie, përveç atyre tashmë të vendosura.

Së dyti. Përdorimi i mundshëm i ndihmës së Pentagonit me krijimin e qendrave të paraburgimit dhe përdorimin e avionëve ushtarakë për të rikthyer të huajt.

Së treti. Përfundimi i murit në "anën" jugore. Ka ende qindra miliona dollarë të ngrira në arkat e administratës demokrate.

Ka gjithashtu "boshllëqe" përgjatë pengesës - disa për shkak të konformacionit të terrenit - dhe do të nevojitet një garnizon më i madh, me njerëz dhe automjete të vendosura në vende që nuk janë gjithmonë të lehta për t'u monitoruar.

Së katërti. Kostot – thonë njerëzit e Trump – nuk do të jenë problem. "Ne do të përdorim të gjitha paratë e nevojshme".

Disa organizata që ndjekin çështjen e emigracionit kanë parashikuar një faturë të lartë dhe të zgjatur, por kjo nuk duket se përfaqëson, për momentin, një frenim. “Fushata kufitare” do të hasë shumë pengesa.

Kompleksiteti i logjistikës parashikon një territor të gjerë dhe të thyer, kundërlëvizjet e atyre që trafikojnë gjithçka, vendosmëria e atyre që duan të hyjnë gjithsesi, procedurat ligjore dhe nevoja për bashkëpunimin mes vendeve, të cilat duhet të marrin përsëri qytetarët e tyre.

Ndjekësit e Trump besojnë se presidenti, duke përdorur presione dhe lëvizje të paparashikueshme, do të marrë atë që dëshiron.

Muajt ​​e ardhshëm do të konfirmojnë ose mohojnë parashikimet. Së fundi, është fronti i dytë, edhe më i dendur: ai i narkotrafikantëve, padronët e vërtetë të kufirit.

Gjithashtu, gjatë garës elektorale, disa liderë republikanë bënë thirrje për veprime më të ashpra kundër karteleve të drogës dhe Thomas Homan është ndër mbështetësit e propozimit për t'i përcaktuar ato si "grupe terroriste".

Të gjitha çështjet që do të jenë në qendër të diskutimeve me Meksikën, një vend strategjik: sepse ky shtet eksporton punëtorë dhe është pika kryesore e tranzitit për emigrantët që shkojnë në veri.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë