Futboll

Thirrje raciste, UEFA hap hetim për ndeshjen Mali i Zi-Angli

Pavarësisht luftës së madhe që Uefa është duke bërë për vite me radhe kundër racizmit, fenomeni i shëmtuar sërish vijon të jetë prezent në stadiumet europiane edhe në nivelet më të larta. Rasti më i fundit ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në ndeshjen Mali i Zi – Angli, e vlefshme për eliminatoret e kampionatit europian 2020. Në sfidën e mbyllur me rezultatin 1-5 në favor të “tre luanëve” mësohet se ka pasur disa kore raciste në drejtim të disa futbollistëve anglez me ngjyrë.

Siç shkruajnë të gjitha mediet britanike koret e tifozëve malazez me sfond racist janë dëgjuar disa herë në stadiumin e Podgoricës gjatë ndeshjes dhe sidomos në momentet e shënimit të golave nga britanikët. Në qendër të këtyre thirrjeve raciste kanë qenë kryesisht tre futbollistë britanik, Hudson Hodoi, Rrahem Stërling dhe Deni Roz. Në drejtim të futbollistëve ka pasur fillimisht thirrje që janë dëgjuar nga futbollistët dhe më pas kore raciste, të cilat janë regjistruar nga delegatë e UEFA-s që ishin prezent në stadium. Nisur nga këto denoncime UEFA ka hapur një hetim zyrtar për këtë rast për të investiguar për këto thirrje raciste që kanë pushtuar stadiumin malazez.

Mbrojtësi Roz pas shënimit të golit të dytë nga Anglia ka dëgjuar thirrjet raciste dhe këtë gjë i ka referuar arbitrit të ndeshjes, i cili nuk mori asnjë vendim. Më pas ishin edhe dy futbollistë të tjerë të formacionit të “tre luanëve” që i dëgjuan koret dhe gjithashtu shkuan te arbitri, por sërish kryesori Kulbakov nuk ndërmori ndonjë masë disiplinore. Në këtë situatë te arbitri i katërt për këto kore raciste është ankuar edhe trajneri Gareth Southgejt, që kërkoi ndërprerjen e ndeshjes deri në pushimin e këtyre koreve, por kjo gjë nuk u aprovua nga katër drejtuesit e ndeshjes. Pas mbylljes së sfidës në Podgoricë kanë folur dy prej protagonistëve të këtyre sulmeve raciste në stadium, Hudson Hodoi dhe Rrahem Stërling.

Hodoi u shpreh se të tilla ngjarje janë shumë të shëmtuara për futbollin europian, kur ndodhin edhe në nivele kaq të larta. “Mendoj se një ngjarje e tillë nuk duhet të përsëritet më. Ne jemi të gjithë të barabartë, por kur ne dëgjojmë të tilla gjëra të thëna nga tifozët në shkallët e stadiumeve, sigurisht që nuk është një gjë e bukur. Janë të papranueshme, shpresoj që Uefa t’i ketë dëgjuar ato që ne dëgjuam dhe të marrë një dënim për autorët.”- tha futbollisti 18-vjeçar që ka shkëlqyer me kombëtaren angleze në këto ndeshje të para eliminatore për kampionatin europian.

Ndërsa sulmuesi i Mançester Sitit ishte akoma dhe më i ashpër në reagimin e tij. Autor i një goli në ndeshjen e zhvilluar në Podgoricë, Stërling tha se shfaqje të tilla janë një trup i madh për të gjithë. “Është një turp që akoma flasim për një gjë të tillë në vitin 2019 dhe mendoj se duhet ketë një dënim shumë të rëndë për një gjë të tillë, jo vetëm ndalimin e atyre personave të hyjnë në stadium. Mund të bëjmë disa dënime të individëve, por mendoj se kjo është një gjë më madhe se kaq. Stadiumi është me 15 mijë vende dhe dënimi duhet të jetë shumë më i gjerë, si komb. Nëse disa tifozë ofendojë në mënyrë raciste, atëherë duhet dënuar një stadium i tërë. Nëse do të jepet një dënim i rëndë, atëherë të gjithë do të mendohen dy herë për ta bërë një sjellje të tillë sërish.”- ka thënë i revoltuar sulmuesi i Mançester Sitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë