Instituti i Ekspertëve Kontabël të Miratuar (IEAKA) ka publikuar në faqen e tij një thirrje të Federatës Europiane të Kontabilistëve dhe Audituesve për SME-të (bizneset e vogla dhe të mesme), që përfaqëson mbi 350,000 profesionistë kontabël në të gjithë Europën, e cila bën thirrje për të ndihmuar bizneset e prekura nga situata e shkaktuar nga koronavirusi.
Në njoftim thuhet:
Pas shpërthimit të koronavirusit në Europë dhe masave të marra për të parandaluar përhapjen e tij, EFAA po merr informacione nga anëtarët e saj, që tregojnë se kjo krizë do të ketë një ndikim shumë të madh në disa sektorë të ekonomisë, veçanërisht për SME-të. Sipas saj, këto masa duhet të vihen në zbatim sa më shpejt që të jetë e mundur.
Entitetet e vogla do të ndikohen shumë ekonomikisht për shkak të kufizimeve të vendosuara për të mbrojtur shëndetin e njerëzve nga COVID-19, megjithëse pasojat ekonomike të këtyre kufizimeve pritet që të jenë më të mëdha për entitetet shumë të vogla, profesionistët kontabël të vetëpunësuar dhe për klientët e tyre të SME-ve.
EFAA bën thirrje për veprim të menjëhershëm nga ana e Institucioneve të BE-së për të mbështetur ekonomitë kombëtare në përgjithësi, si edhe në marrjen e masave specifike për të lehtësuar pasojat që do të lerë një krizë e tillë ekonomike. Një shembull i tillë është shtyrja e afatit për pagesën e taksave, kontributeve për sigurimet shoqërore dhe kësteve të kredisë. Masat stimuluese duhet të propozohen për të gjitha vendet anëtare të BE-së. Komisioni Europian po bën përpjekje për të koordinuar veprimet midis vendeve anëtare, duke zbutur kështu edhe ndikimin e saj në ekonomi.
EFAA mbështet dhe është plotësisht dakord me kërkesat e publikuara nga Unioni i SME-ve. SME-të e Bashkuara kërkojnë reagim të shpejtë nga Europa për të shmangur këtë krizë. Së pari, Unioni i SME-ve u kërkon qeverive vendase të përdorin instrumenta financiarë për të siguruar likuiditetin e nevojshëm dhe kapital qarkullues, duke përdorur ndihmat qeveritare. Disa mundësi mund të jenë derregullimi, skemat e shpëtimit dhe ristrukturimit. Së dyti, Unioni i SME-ve mbështet Komisionin Evropian në krijimin e mekanizmave për të ndihmuar SME-të në vështirësi. Së treti, fondet e mbetura në nivel Europian duhet të orientohen drejt sigurimit të kapitalit qarkullues për SME-të.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje