Politike

Thirrja e Berishës: Protesta deri në vendosjen e pluralizmit politik

Ish-kryeministri Sali Berisha, në një prononcim për mediat pas përfundimit të mbledhjes së PD-së me Kryesinë tha se zgjedhjet e 30 qershorit ishin një farsë. Berisha deklaroi se protestat nga ana e opozitës do të vazhdojnë deri në vendosjen e pluralizmit politik.
“Vlerat e demokracisë të groposura më 30 qershor me farsën moniste të rivendosen një minutë e më parë, ndaj edhe u bëj thirrje mbarë qytetarëve shqiptarë të vazhdojmë betejën deri në fitoren tonë të plotë”, u shpreh Berisha.
Sa i përket bojkotimit të zgjedhjeve, Berisha tha se ishte një nga aktet më të mençura të PD-së. “Nuk u bënë pjesë e farsës më të shëmtuar të narkoshtetit ku baronët e drogës dhe krimit me pushtet dhe në shpellat e drogës vendosin për fatin e qytetarëve. Është jetike që opozita të qëndrojë e papërlyer. Besnike e vlerave dhe për asnjë sekondë fasadë e një regjimi më të urryer që kanë pasur shqiptarët nga koha e Enver Hoxhës deri më sot”, u shpreh më tej Berisha.
Sipas Berishës, edhe misioni i ODIHR, me qartësi të plotë ligjore, deklaroi se këto zgjedhje janë antikushtetuese në Shqipëri.
“Edhe misioni i ODIHR që e kryesoi famozja Glover, që njihen marrëdhëniet e mia me të, edhe ai me qartësi të plotë ligjore deklaroi se këto zgjedhje janë antikushtetuese në vend. Deklaroi se dekreti i presidentit është në fuqi. Duhet ti njohë një meritë, flas për grupin e ekspertizës ligjore, ODIHR deklaroi se dekreti i presidentit mund të gjykohet nga Kushtetuesja.
Me këtë deklaratë shpallën zgjedhjet antikushtetuese. Kurse Kolegjit Zgjedhor i është bërë presion”, tha ndër të tjera ish-kryeministri Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë