Ekonomi

Thika me dy presa e normës së interesit

Në vitin 2015, pas disa alarmeve false së çmimet do të rriteshin, ish-sekretari i Thesarit amerikan, Lawrence Summers tha se Banka Federale nuk duhet të rrisë normën e interesit deri sa “të shikojë të bardhën e syrit të inflacionit”.  Tani, me inflacionin në nivelet më të larta në 40 vite, bankierët qendrorë, po shqetësohen se mos e lehtësojnë para kohe politikën monetare.  Ata kanë të drejtë të jenë të kujdesshëm ndaj rrënjosjes së inflacionit të lartë. Por ndërsa normat e interesit rriten, ato përballen me një balancë gjithnjë e më sfiduese, pasi rreziqet e rënieve më të thella ekonomike dhe shkatërrimit të tregut financiar po rriten gjithashtu.

Ndonëse bankat qendrore të ekonomive të zhvilluara i kanë rritur interesat në një sinkronizim që nuk është parë në pesë dekadat e shkuara, inflacioni ka qëndruar i fortë.

Politika më e lirë fiskale dhe, jashtë SHBA-së, monedhat më të dobëta i janë shtuar presioneve ekzistuese të çmimeve, duke përfshirë mungesën e fuqisë punëtore, çmimet e larta të energjisë dhe ushqimeve. Bankat qendrore të SHBA dhe Britanisë pritet të sjellin rritje të forta të normave në takimet javën e ardhshme. Banka Qendrore Europiane ngriti të enjten normën e saj të depozitave në nivelin më të lartë që nga viti 2009.

Me inflacionin katër herë më të lartë se objektivin, bankat duhet të rrisin më tej koston e kreditimit.

Sa më gjatë që inflacioni qëndron lart, aq më e madhe është gjasat që çmimet e larta të lidhen me pritshmëritë, duke rritur më tej pagat dhe çmimet. Në të vërtetë, disa masa të pritjeve afatmesme të inflacionit të familjeve dhe bizneseve në Mbretërinë e Bashkuar, Eurozonë dhe SHBA janë ende mbi objektivin prej 2%. Bankierët qendrorë janë gjithashtu të vetëdijshëm se përpjekja për t’u larguar nga një regjim me inflacion të lartë, pasi ai të ketë zënë vend, do të kërkonte një shtrëngim më agresiv dhe më të kushtueshëm. Dhe ndërsa presionet e çmimeve të energjisë dhe zinxhirit të furnizimit janë zbutur kohët e fundit, rreziqet janë aty.

Megjithatë, ndërsa politika monetare është bërë më kufizuese, janë shtuar thirrjet që bankat qendrore të lehtësojnë masat mes rreziqeve në rritje të recesionit. Normat më të larta tashmë po frenojnë kërkesën: kushtet e huamarrjes së korporatave janë shtrënguar, kostot e ripagimit të hipotekave po rriten dhe ka shenja të reja që tregjet e punës po ftohen. Ekziston një rrezik që bankat qendrore të shkojnë shumë larg; duke e kthyer një ngadalësim në një rënie. Kjo mund të nënkuptojë një valë falimentimesh biznesi, rënie të mëdha të çmimeve të banesave dhe rritje të papunësisë.

Pas një dekade me interesa të ulëta dhe likuiditet të bollshëm, ka shenja paralajmëruese se rritja e menjëhershme e normave dhe tkurrja e bilanceve të bankave, do të trishtojë stabilitetin financiar. Çfarë ndodhi në Britani së fundmi tregoi se sa të brishta janë tregjet. Ndërkohë, tendosje janë krijuar në tregun e thesarit të SHBA-së dhe në Eurozonë, normat në rritje po shtojnë presionin ndaj obligacioneve.

Përcaktimi i politikës monetare është larg nga një shkencë ekzakte, por tani për tani rreziqet e shtrëngimit të tepërt dhe nënshtrëngimit janë përforcuar, veçanërisht pasi pasiguria ekonomike është gjithashtu e lartë. Bankierët qendrorë duhet të gjykojnë se sa shpejt po kalojnë normat më të larta në ekonominë reale dhe ndikimet e veprimeve të bankës qendrore diku tjetër. Matja e politikës është edhe më e vështirë ndërsa qeveritë përpiqen të mbrojnë ekonomitë ndaj kostove të larta të energjisë kur tensionet gjeopolitike rriten.

Bankat qendrore duhet të qëndrojnë të fokusuara në uljen e inflacionit. Por ata do të duhet të ecin me gjithnjë e më shumë kujdes, duke mbajtur një sy të vendosur në krijimin e rreziqeve ekonomike dhe financiare të tregut. Mbi të gjitha, ata duhet të jenë të kujdesshëm se duke u përpjekur të zbusin rrezikun e inflacionit të lartë, ata mund të lëshojnë padashur një grup të ri kërcënimesh.

Burimi: FinancialTimes, Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë