Ngjarje

Shembet mes tensioneve të banorëve godina e fundit në Theth. Rama: Rilindja urbane 2.0

Gazeta Si – Pas një aksioni që zgjati për më shumë se 7 ditë, mbrëmjen e së hënës është prishur dhe ngrehina e fundit e ndërtuar pa leje në zonën turistike malore të Thethit.

Edhe prishja e këtij objekti u shoqërua me protestën dhe kundërshtinë e pronarëve, të cilët pas disa orësh e panë të shembje nga ekskavatori i IKMT.

Pronarëve u ishte dhënë koha deri në orën 18:00 të ditës së sotme që strukturat t’i çmontonin vetë. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe fadromat e IKMT-së kanë ndërhyrë natën për ta shembur.

Fillimisht pati rezistencë nga banorët, ku u tentua t’i bllokohej rruga fadromës dhe më pas rreth 30 banorë u ngujuan brenda godinës për të mos lejuar shembjen e objektit, ku mes tyre kishte edhe gra edhe fëmijë.

Gjithsesi, rezistenca e tyre nuk zgjati më shumë se një orë dhe ata u larguan paqësisht, pas një telefonate me pronarin e objektit, i cili ndodhej në Valbonë me një grup turistësh.

Sipas informacione, ai u ka kërkuar familjarëve të tij dhe banorëve të tjerë që të largohen për të mos rrezikuar jetën e askujt, duke qenë se është edhe natë.

Banorët kanë kërkuar një vendim gjykate që të justifikojë ligjërisht shembjen e ndërtesës, ndërsa janë ulur në rrugë për të bllokuar kalimin e mjeteve të IKMT-së.

Policia ka ndërhyrë duke krijuar një kordon sigurie dhe ka tentuar të largojë banorët, por situata mbeti për minuta e tensionuar.

Pavarësisht përpjekjeve për të nisur shembjen, familjarët janë futur brenda objektit, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen e fadromës, deri sa më në fund u doreëzuan.

Në mbrëmje, kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet nga pastrimi i inerteve nga shembja masive e godinave pa leje në Theth.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan se ka filluar Rilindja Urbane 2.0 si domosdoshmëri jetike për Shqipërinë 2030 në BE.

Kreu i qeverisë thekson se forcat e xhenjos nuk do të largohen nga Thethi deri kur të jetë hequr edhe mbeturina e fundit, ndërkohë që mbetet edhe nje godinë masive për t’u shembur, që të përmbyllet ekzekutimi i plotë i vendimeve të IKMT

“Ka nisur sot në Theth me mbështetjen e forcave të xhenjos, pastrimi i mbetjeve inerte të ekzekutimit të vendimeve në ngarkim të 40 subjekteve që kishin mbjellë mbi 100 ngrehina pa leje – nga ato me mure tek ato me kontruksion metalik e me dru – në dhunim ekstrem të ligjit për zonat e mbrojtura, të historisë e të pejsazhit magjepsës të asaj zone dhe të turizmit që kanë kultivuar në vite ata që kanë sakrifikuar për ta bërë Thethin destinacionin që është sot- thekson Rama – Forcat e xhenjos nuk do të largohen nga Thethi deri kur të jetë hequr edhe mbeturina e fundit, ndërkohë që mbetet edhe nje godinë masive për t’u shembur, që të përmbyllet ekzekutimi i plotë i vendimeve të IKMT dhe rikthimi i Thethit në normalitetin e para kësaj marrëzie kriminale. Ka filluar Rilindja Urbane 2.0 si domosdoshmëri jetike për Shqipërinë 2030 në BE”, shkruan Rama.

Ky aksion i IKMT-së, i cili ka zgjatur një javë, ka çuar në shembjen e rreth 70 ndërtimeve të paligjshme në zonën e mbrojtur të Thethit.

Pas përfundimit të ndërhyrjeve, strukturat shtetërore pritet të tërhiqen nga territori i Parkut Kombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë