Trashëgimi

Themeluar në vitin 1624 / Posta daneze ndërpret shpërndarjen e letrave pas 400 vjetësh

Gazeta “SI”- Shërbimi postar i Danimarkës do të dorëzojë letrën e tij të fundit më 30 dhjetor, duke i dhënë fund një tradite që ka zgjatur për rreth katër shekuj. Lajmi është bërë i ditur nga kompania PostNord, e cila ka vendosur të ndalojë përfundimisht shpërndarjen e letrave për shkak të rënies drastike të kërkesës dhe digjitalizimit të shpejtë të shoqërisë daneze.

PostNord, e krijuar në vitin 2009 pas bashkimit të shërbimeve postare të Danimarkës dhe Suedisë, ka njoftuar se si pjesë e këtij vendimi do të shkurtojë rreth 1.500 vende pune dhe do të heqë nga përdorimi 1.500 kuti postare të kuqe, të cilat për dekada kanë qenë simbol i shërbimit postar në vend.

Kompania e përshkroi Danimarkën si një nga vendet më të digjitalizuara në botë, duke theksuar se numri i letrave ka rënë ndjeshëm, ndërsa blerjet online dhe dërgesat e pakove janë në rritje të vazhdueshme. Për këtë arsye, PostNord ka vendosur të fokusohet kryesisht në shpërndarjen e pakove.

Heqja e kutive postare ka nxitur interes të madh te qytetarët. Vetëm brenda tri orësh, 1.000 kuti postare të çmontuara u shitën pasi dolën në treg në fillim të këtij muaji. Çmimi për një kuti në gjendje të mirë arriti deri në 268 euro, ndërsa ato më të konsumuarat u shitën për rreth 200 euro. Rreth 200 kuti të tjera pritet të dalin në ankand gjatë muajit janar.

PostNord ka bërë të ditur gjithashtu se do të rimbursojë pullat postare daneze të papërdorura, por vetëm për një periudhë të kufizuar kohore. Ndërkohë, kompania do të vazhdojë shpërndarjen e letrave në Suedi.

Qytetarët danezë do të kenë ende mundësi të dërgojnë letra përmes kompanisë private Dao, e cila tashmë ofron këtë shërbim dhe pritet ta zgjerojë atë nga muaji janar, me kapacitet deri në 80 milionë letra në vit.

Shërbimi postar danez ka qenë përgjegjës për shpërndarjen e letrave që nga viti 1624, duke shënuar kështu fundin e një prej institucioneve më të vjetra në historinë e vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë