Gazeta Si – SPAK ka regjistruar një akuzë të re për Ajola Xoxën, bashkëshorten e kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliaj.
Xoxa u paraqit këtë të hënë në SPAK dhe sipas burimeve paraprake, ndaj saj është shtuar edhe vepra penale e “fshehjes të të ardhurave”. Ajo po hetohej deri tani për korrupsion pasiv në 9 episode, pastrim parash e mosdeklarim pasurie.
Xoxa është në hetim në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj vijon të jetë nën masën e sigurisë “arrest me burg” për dyshimet se është përfshirë në korrupsion dhe pastrim parash. Këto akuza ai i ka mohuar në disa reagime publike, por edhe para gjykatës.



Dy javë më parë, Apeli i Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi ankimin e bërë nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë.
Xoxa ka kërkuar që të hiqet masa e sigurisë së sekuestrimit të sendeve të saj personale. Telefoni, dokumente dhe materiale të tjera që u bllokuan nga SPAK gjatë kontrolleve të ushtruara në dhjetor të vitit të shkuar, do të vijojnë të qëndrojnë në duart e hetuesve.



Bashkëshorti i saj, Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025 dhe që prej asaj dite është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të SPAK për disa akuza, përfshirë një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash OJF. Sipas SPAK, çifti kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.