Euro 2020

“The Times” hedh “bombën”, finalja e Europianit spostohet në Budapest

Finalja e Euro 2020 mund të mos luhet në Londër, më 11 korrik. Është një mundësi, së cilës “The Times”, e përditshmja britanike, i ka kushtuar faqen e parë dhe flet për një kërcënim të UEFA-s për një spostim të mundshëm të finales në Hungari. Nga zyrat e UEFA-s nuk ka asnjë konfirmim në lidhje me këtë lajm.

Kërcënimi i UEFA-s lidhet me praninë e 2500 të ftuarve VIP në finalen e “Wembley”-t. Bëhet fjalë për drejtues të federatës europiane dhe FIFA-s, sponsorë, drejtues dhe gazetarë televizionesh, që sipas rregullave aktuale në Mbretërinë e Bashkuar, mund të marrin pjesë në ndeshje vetëm 10 ditë pas autoizolimit.

“Wembley”, stadiumi ku duhet të luhet finalja e Euro 2020. Gazeta Si, 18 qershor 2021

UEFA ka kërkuar prej kohësh një përjashtim, hipotezë që qeveria e Boris Xhonsonit e ka marrë në konsideratë, por që do të krijonte një rrezik të dyfishtë: do të kishte një përhapje më të madhe të virusit në vend dhe do të krijonte polemika për normat në fuqi, që limitojnë lëvizjet e britanikëve.

Nëse dështon Londra, Hungaria është vendi i përzgjedhur nga UEFA, sepse masat shtrënguese janë më të buta dhe se në Budapest do të luhej në një stadium të mbushur plot, ndryshe nga sa mund të ndodhë në “Wembley”, ku kapaciteti për gjysmëfinalet dhe finalen është ende në masën 50%. “Qeveria britanike, – shkruan “The Times”, – po vlerëson situatën dhe ka edhe një tjetër interes për të mos u përplasur me UEFA-n dhe FIFA-n, atë të shtimit të shanseve për mbështetjen europiane për kandidaturën e organizimit të Botërorit 2030”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë