Ne rrjet

The Guardian: Si Shefi i spiunazhit izraelit ‘kërcënoi’ kryeprokuroren e Gjykatës Ndërkombëtare për hetimin e krimeve të luftës (skenar kaluar filmave)

Ish-kreu i Mossad-it, agjencisë së inteligjencës së Izraelit, dyshohet se kërcënoi një kryeprokurore të gjykatës penale ndërkombëtare në një seri takimesh sekrete, në të cilat ai u përpoq t'i bënte presion asaj që të braktiste një hetim për krimet e luftës, zbulon media britanike The Guardian.

Kontaktet e fshehta të Yossi Cohen me prokuroren e atëhershme të GJNP-së, Fatou Bensouda, ndodhën vite para vendimit të saj për të hapur një hetim zyrtar mbi krimet e dyshuara të luftës dhe krime kundër njerëzimit në territoret e pushtuara palestineze.

Ky hetim, i nisur në vitin 2021, arriti kulmin javën e kaluar kur pasardhësi i Bensouda, Karim Khan, njoftoi se ai do lëshonte urdhër arresti për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, mbi qëndrimet e tij për luftën në Gaza.

Vendimi i prokurorit për urdhër-arrestin ndaj Netanyahut dhe ministrit të tij të mbrojtjes, Yoav Gallant, së bashku me tre liderë të Hamasit, është një vendim që struktura ushtarake dhe politike e Izraelit e ka pasur frikë prej kohësh.

Përfshirja personale e Cohen në operacionin kundër ICC (Gjykata Penale Ndërkombëtare) ndodhi kur ai ishte drejtor i Mossad.

Aktivitetet e tij ishin të autorizuara në një nivel të lartë dhe të justifikuara mbi argumentin se gjykata përbënte një kërcënim për ndjekje penale kundër personelit ushtarak, sipas një zyrtari të lartë izraelit.

Një tjetër burim izraelit i informuar për operacionin kundër Bensouda tha se objektivi i Mossad ishte të komprometonte prokuroren ose ta përfshinte si bashkëpunuese me kërkesat e Izraelit.

Një burim i tretë i njohur me operacionin tha se Cohen po vepronte si "negociatori jo zyrtar" i Netanyahut.

Cohen, i cili ishte një nga aleatët më të ngushtë të Netanyahut në atë kohë dhe po shfaqet si një forcë politike më vete në Izrael, drejtoi personalisht përfshirjen e Mossad-it në një fushatë gati dhjetëvjeçare nga vendi për të minuar gjykatën.

Katër burime konfirmuan se Bensouda kishte informuar një grup të vogël zyrtarësh të lartë të ICC-së për përpjekjet e Cohen për të ndikuar tek ajo, mes shqetësimeve për natyrën gjithnjë e më këmbëngulëse dhe kërcënuese të sjelljes së tij.

Tre nga ato burime konfirmuan zbulimet zyrtare të Bensouda-s në ICC për këtë çështje. Ata thanë se ajo zbuloi se Cohen kishte ushtruar presion mbi të në disa raste që të mos vazhdonte një hetim penal në rastin e Palestinës.

Sipas informacioneve të ndara me zyrtarët e ICC-së, ai dyshohet se i kishte thënë asaj: “Ti duhet të na ndihmosh dhe të na lejosh të kujdesemi për ty. Ju nuk besoj se dëshironi të futeni në gjëra që mund të rrezikojnë sigurinë tuaj ose të familjes suaj”

Një individ i informuar për aktivitetet e Cohen tha se ai kishte përdorur "taktika të neveritshme" kundër Bensouda si pjesë e një përpjekjeje përfundimisht të pasuksesshme për ta frikësuar dhe ndikuar tek ajo.

Ata e krahasuan sjelljen e tij si "përndjekje".

Mossad gjithashtu tregoi një interes të madh për anëtarët e familjes së Bensouda dhe mori transkriptet e regjistrimeve sekrete të burrit të saj, sipas dy burimeve të lidhura drejtpërdrejt me situatën.

Zyrtarët izraelitë më pas u përpoqën ta përdorin materialin për të diskredituar prokuroren.

Zbulimet rreth operacionit të Cohen janë pjesë e një hetimi të ardhshëm nga Guardian, botimi izraelito-palestinez +972 Magazine dhe gazeta në gjuhën hebraike Local Call, për të treguar se si agjencitë e inteligjencës izraelite zhvilluan një "luftë" të fshehtë kundër ICC për pothuajse një dekadë.

I kontaktuar nga Guardian, një zëdhënës i zyrës së kryeministrit të Izraelit tha: "Pyetjet e dërguara tek ne janë të mbushura me shumë pretendime të rreme dhe të pabaza që synojnë të dëmtojnë shtetin e Izraelit". Cohen nuk iu përgjigj një kërkese për koment. As Bensouda nuk pranoi të komentonte.

Në përpjekjet e Mossad-it për të ndikuar në Bensouda, Izraeli mori mbështetje nga një aleat: Joseph Kabila, ish-presidenti i Republikës Demokratike të Kongos, i cili luajti një rol mbështetës në këtë cështje.

Zbulimet në lidhje me përpjekjet e Mossad-it për të ndikuar në Bensouda vijnë pasi kryeprokurori aktual, Khan, paralajmëroi ditët e fundit se nuk do të hezitonte të ndiqte penalisht "përpjekjet për të penguar, frikësuar ose influencuar në mënyrë të pahijshme" zyrtarët e ICC-së.

Sipas ekspertëve ligjorë dhe ish-zyrtarëve të ICC-së, përpjekjet e Mossad-it për të kërcënuar ose për të ushtruar presion mbi Bensouda mund të përbëjnë shkelje kundër drejtësisë sipas traktatit që themeloi gjykatën.

Një zëdhënës i ICC-së nuk tha nëse Khan kishte shqyrtuar zbulimet e paraardhësit të tij në lidhje me kontaktet e saj me Cohen, por tha se Khan kurrë nuk ishte takuar apo folur me kreun e Mossad.

Ndërsa zëdhënësi nuk pranoi të komentonte mbi akuzat specifike, ata thanë se zyra e Khan i ishte nënshtruar "disa formave të kërcënimeve dhe komunikimeve që mund të shiheshin si përpjekje për të ndikuar padrejtësisht mbi aktivitetet e saj".

Bensouda ndez zemërimin e Izraelit

Vendimi i Khan për të kërkuar urdhra arresti kundër Netanyahut dhe Gallant javën e kaluar shënoi herën e parë që gjykata kishte ndërmarrë kundër udhëheqësve të një vendi të ngushtë aleat me SHBA-në dhe Evropën. Krimet e tyre të supozuara – të cilat përfshijnë drejtimin e sulmeve ndaj civilëve dhe përdorimin e urisë si një metodë lufte – lidhen me luftën tetë-mujore në Gaza.

Çështja e ICC-së, megjithatë, daton në vitin 2015, kur Bensouda vendosi të hapë një shqyrtim paraprak për situatën në Palestinë. Pas një hetimi të plotë, ajo kishte për detyrë të bënte një vlerësim fillestar të pretendimeve për krime nga individë në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.

Vendimi i Bensouda ndezi zemërimin e Izraelit, i cili kishte frikë se qytetarët e tij mund të ndiqen penalisht për përfshirjen e tyre në operacionet në territoret palestineze.

Izraeli ishte prej kohësh hapur kundër ICC-së, duke refuzuar të njihte autoritetin e tij. Ministrat izraelitë intensifikuan sulmet e tyre ndaj gjykatës dhe madje u zotuan se do të përpiqen ta çmontojnë atë.

Menjëherë pas fillimit të ekzaminimit paraprak, Bensouda dhe prokurorët filluan të merrnin paralajmërime se inteligjenca izraelite po tregonte një interes të ngushtë për punën e tyre.

Sipas dy burimeve, madje kishte dyshime midis zyrtarëve të lartë të GJNP-së se Izraeli kishte aktivizuar burime brenda divizionit të prokurorisë së gjykatës, i njohur si zyra e prokurorit.

Megjithatë, vetëm një grup i vogël figurash të larta në ICC u informuan se drejtori i Mossad-it i ishte drejtuar personalisht kryeprokurores.

Cohen gëzon një reputacion në komunitetin e inteligjencës izraelite si një rekrutues efektiv i agjentëve të huaj. Ai ishte një aleat besnik dhe i foftë i kryeministrit në atë kohë. Ai ishte emëruar si drejtor i Mossad nga Netanyahu në vitin 2016, pasi punoi për disa vite pranë tij si këshilltar i tij për sigurinë kombëtare.

Si kreu i këshillit të sigurisë kombëtare midis 2013 dhe 2016, Cohen mbikëqyri organin që, sipas burimeve të shumta, filloi të koordinojë një përpjekje shumë agjencish kundër ICC-së sapo Bensouda hapi hetimin paraprak në 2015.

Ndërveprimi i parë i Cohen me Bensouda duket se ka ndodhur në konferencën e sigurisë në Mynih në vitin 2017, kur drejtori i Mossad-it iu prezantua prokurores në një takim të shkurtër. Pas këtij takimi, Cohen më pas "i zuri pritë" Bensouda në një suitë hoteli në Manhattan, sipas burimeve të shumta të njohura me incidentin.

Bensouda ishte në Nju Jork në vitin 2018 për një vizitë zyrtare dhe po takonte Kabila, atëherë presidenti i Republikës Demokratikë të Kongos. Dyshja ishin takuar disa herë më parë në lidhje me hetimin e vazhdueshëm të ICC-së për krimet e dyshuara të kryera në vendin e tij.

Takimi, megjithatë, duket se ishte një pritë e organizuar paraprakisht. Në një moment të caktuar, pasi stafit të Bensouda-s iu kërkua të largohej nga dhoma, Cohen hyri, sipas tre burimeve të njohura me takimin.

Paraqitja e papritur, thanë ata, shkaktoi alarm tek Bensouda dhe një grupi zyrtarësh të ICC-së që udhëtonin me të.

Se pse Kabila e ndihmoi Cohen është e paqartë, por lidhjet midis dy burrave u zbuluan në vitin 2022 nga botimi izraelit TheMarker, i cili raportoi për një seri udhëtimesh të fshehta që drejtori i Mossad bëri në Republikën Demokratike të Gongos gjatë vitit 2019.

Sipas artikullit, udhëtimet e Cohen, lidheshin me këshillën e Kabila-s "për një çështje me interes për Izraelin", që me siguri u miratuan edhe nga Netanyahu, por që ishin shumë të pazakonta dhe kishin habitur figura të larta brenda komunitetit të inteligjencës.

Duke raportuar për takimet e DRC në vitin 2022, transmetuesi izraelit Kan 11 tha se udhëtimet e Cohen lidheshin me një "plan jashtëzakonisht të diskutueshëm" dhe citoi burime zyrtare që e përshkruan atë si "një nga sekretet më të ndjeshme të Izraelit".

Burime të shumta kanë konfirmuar për Guardian se udhëtimet ishin pjesërisht të lidhura me operacionin e ICC-së dhe Kabila, që la detyrën në janar 2019, luajti një rol të rëndësishëm mbështetës në komplotin e Mossad kundër Bensouda.

Vetë Kabila nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Kërcënimet dhe manipulimet

Pas takimit të papritur me Kabila dhe Bensouda në Nju Jork, Cohen telefonoi vazhdimisht kryeprokuroren dhe kërkoi takime me të, sollën në vëmendje  tre burime. Sipas dy personave të njohur me situatën, në një moment Bensouda e pyeti Cohen se nga e kishte marrë numrin e saj të telefonit, të cilës ai u përgjigj: "A e harrove atë që bëj për të jetuar?"

Fillimisht, shpjeguan burimet, shefi i inteligjencës "u përpoq të krijonte një marrëdhënie" me prokuroren dhe luajti "policin e mirë" në përpjekje për ta tërhequr atë.

Objektivi fillestar, thanë ata, dukej se ishte që Bensouda të bashkëpunonte me Izraelin.

Megjithatë, me kalimin e kohës, toni i kontaktit të Cohen ndryshoi dhe ai filloi të përdorte një sërë taktikash, duke përfshirë "kërcënimet dhe manipulimet", tha një individ i informuar për takimet. Kjo e shtyu Bensouda të informonte një grup të vogël zyrtarësh të lartë të ICC-së për sjelljen e tij.

Në dhjetor 2019, prokurorja njoftoi se kishte arsye për të hapur një hetim të plotë penal mbi akuzat për krime lufte në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor. Megjithatë, ajo e ndaloi nisjen e hetimit, duke kërkuar së pari një vendim nga dhoma paragjyqësore e ICC-së për të konfirmuar se gjykata kishte vërtet juridiksion mbi Palestinën.

Burime të shumta thanë se ishte pikërisht kjo koha kur Cohen përshkallëzoi përpjekjet e tij për të bindur Bensoudën të mos ndiqte një hetim të plotë në rast se gjyqtarët i jepnin asaj dritën jeshile.

Midis fundit të vitit 2019 dhe fillimit të vitit 2021, thanë burimet, ka pasur të paktën tre takime mes Cohen dhe Bensouda, të gjitha të iniciuara nga shefi i spiunazhit. Sjellja e tij thuhet se është bërë gjithnjë e më shqetësuese për zyrtarët e ICC.

Një burim i njohur me rrëfimet e Bensouda-s për dy takimet e fundit me Cohen tha se ai kishte ngritur pyetje në lidhje me sigurinë e saj dhe atë të familjes së saj, në një mënyrë që e bëri atë të besonte se ai po e kërcënonte.

Në një rast, Cohen thuhet se i ka treguar Bensouda-s kopje të fotografive të bashkëshortit të saj, të shkrepura kur çifti po vizitonte Londrën. Nga ana tjetër, sipas burimeve, Cohen i tha prokurores se një vendim për hapjen e një hetimi të plotë do të ishte i dëmshëm për karrierën e saj.

Katër burime të njohura me situatën thanë se ishte pothuajse në të njëjtën kohë kur Bensouda dhe zyrtarë të tjerë të ICC zbuluan se informacioni po qarkullonte midis kanaleve diplomatike në lidhje me bashkëshortin e saj, i cili punonte si konsulent për çështjet ndërkombëtare.

Midis 2019 dhe 2020, Mossad kishte kërkuar në mënyrë aktive informacione komprometuese për prokuroren dhe u interesua për anëtarët e familjes së saj.

Agjencia e spiunazhit përfitoi një sasi materialesh, duke përfshirë transkriptet e një operacioni të dukshëm kundër burrit të saj.

Është e paqartë se kush e ka kryer operacionin, apo saktësisht se çfarë dyshohet të ketë në regjistrime. Një mundësi është që ai të kishte qenë në shënjestër nga agjencia e inteligjencës ose nga aktorë privatë të një vendi tjetër që kishte interes mbi ICC. Një mundësi tjetër është se informacioni është fabrikuar.

Megjithatë, materiali u përdor nga diplomatët e Izraelit në një përpjekje të pasuksesshme për të minuar kryeprokuroren. Sipas burimeve të shumta, Izraeli nuk arriti të bindë aleatët e tij për rëndësinë e materialit.

Tre burime të informuara mbi informacionin e ndarë nga Izraeli në nivel diplomatik i përshkruan përpjekjet si pjesë e një "fushate shpifjeje" të pasuksesshme kundër Bensouda. “Ata ndoqën Fatou-n,” tha një burim, por kjo nuk pati “asnjë ndikim” në punën e prokurores.

Ndikimet diplomatike ishin pjesë e një përpjekjeje të koordinuar nga qeveritë e Netanyahu dhe Donald Trump në SHBA për të ushtruar presion publik dhe privat ndaj prokurores dhe stafit të saj.

Midis 2019 dhe 2020, në një vendim të paprecedentë, administrata Trump vendosi kufizime vizash dhe sanksione ndaj kryeprokurores. Masa ishte në hakmarrje ndaj ndjekjes së Bensouda-s për një hetim të veçantë për krimet e luftës në Afganistan, të dyshuara të kryera nga talebanët dhe personeli ushtarak afgan dhe amerikan.

Megjithatë, Mike Pompeo, atëherë sekretar i shtetit i SHBA-së, e lidhi paketën e sanksioneve me çështjen e Palestinës. “Është e qartë se GJNP-ja po e vë Izraelin në pikëpyetje vetëm për qëllime të zhveshura politike,” tha ai.

Muaj më vonë, ai akuzoi Bensoudën, pa përmendur asnjë provë, se ishte "angazhuar në akte korruptive për përfitime personale".

Sanksionet amerikane u anuluan pasi presidenti Joe Biden hyri në Shtëpinë e Bardhë.

Në shkurt të vitit 2021, dhoma e gjykimit paraprak të ICC-së nxori një vendim që konfirmonte se GJykata kishte juridiksion në territoret e pushtuara palestineze. Muajin pasues, Bensouda njoftoi hapjen e hetimit penal.

“Në fund, shqetësimi ynë kryesor duhet të jetë për viktimat e krimeve, si palestineze ashtu edhe izraelite, që lindin nga cikli i gjatë i dhunës dhe pasigurisë që ka shkaktuar vuajtje të thellë dhe dëshpërim në të gjitha anët,” tha ajo në atë kohë.

Bensouda përfundoi mandatin e saj nëntë vjeçar në ICC tre muaj më vonë, duke ia lënë atë pasuesit të saj, Khan, për të marrë hetimin në dorë. Vetëm pas sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor dhe luftës që pasoi në Gaza, hetimi i ICC-së fitoi urgjencë, duke kulmuar me kërkesën e javës së kaluar për urdhër-arreste.

Ky ishte rezultati nga i cili kishte frikë strukturat politike, ushtarake dhe e inteligjencës së Izraelit. “Fakti që ata zgjodhën kreun e Mossad-it për të qenë i dërguari jozyrtar i kryeministrit tek (Bensouda) ishte për të frikësuar, sipas definicionit,” tha një burim i informuar për operacionin e Cohen. "Por dështoi” Marre nga "Theguardian" / Pershtatur ne shqip: Gazeta 'Si'


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë