Ne rrjet

“The Guardian”: Në Shqipëri çdo muaj një skandal që lidh qeverinë me krimin

Gazeta prestigjoze britanike “The Guardian” i ka dedikuar një artikull të zgjeruar krizës politike në vendin tonë dhe perspektivës për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Ajo e quan popullin shqiptar si një ndër më europiandashësit, por paralajmëron se ka gjasa që negociatat të refuzohen për herë të tretë nga BE-ja. Në artikullin që mban firmën e gazetarit Shaun Walker, i cili ka qëndruar për disa ditë në Tiranë, theksohet gjithashtu se, “pothuajse çdo muaj zbulohet një skandal i ri në vendin ballkanik, që lidh figura të larta politike me krimin e organizuar".

Gazeta britanike shkruan se kryeministri Edi Rama dëshiron të jetë njeriu që do ta vendosë Shqipërinë në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, por ai po përballet me dy probleme të mëdha: opozitën në Tiranë dhe opozitën në Bruksel.

“Në Europë udhëheqësit e lodhur nga zgjerimi po luajnë lojëra të vështira dhe janë të kujdesshëm ndaj pranimit të anëtarëve të rinj potencialë në kohën e rritjes së ndjenjave populiste dhe euroskeptike, ndërsa në shtëpi Rama po përballet me demonstrata javore kundër tij, nga një opozitë që është gjithashtu pro-europianë, por akuzon qeverinë e tij për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar dhe kërkon zgjedhje të parakohshme”, shkruan “The Guardian”.

Kryeministri ka dhënë edhe një intervistë për gazetarin Walker në zyrën e tij javën e shkuar. Rama thotë për “The Guardian” se për Shqipërinë, anëtarësimi në BE do të thotë mundësi për t’u pozicionuar përfundimisht në një zonë të sigurt nga mallkimi i historisë.

“Ne ishim Koreja e Veriut e Europës”, shprehet Rama. “Ishim të izoluar nga perëndimi dhe të izoluar nga lindja. Kemi pasur regjimin komunist më mizor që ka njohur historia. Kjo është arsyeja pse jemi tani pro-amerikanë, pro-NATO, pro-BE … Ne kemi myslimanët më pro-europianë në botë. Sipas një sondazhi të vitit të kaluar, 95% e popullsisë besojnë se anëtarësimi në BE do të sjellë përfitime për vendin”.

Gazeta britanike shkruan se rënia e komunizmit u pasua nga një kapitalizëm i egër dhe si rrjedhojë qindra mijëra shqiptarë u nisën për në Itali dhe vende të tjera europiane. Ajo ndalet edhe tek grupet kriminale shqiptare, të cilat janë shndërruar në argument për vende si Holanda për mos hapjen e negociatave.

“Midis tyre kishte fara të grupeve kriminale, të cilët u përhapën në të gjithë Europën dhe madje dhe u infiltruan në politikën vendase. Detyra e Ramës ka qenë të bindë Komisionin Europian se reformat po ecin përpara, ndonëse ngadalë, pasi kritikët në vend e akuzojnë atë se po drejton një sistemi të kalbur. Raport i publikuar nga Komisioni Europian muajin e kaluar vëren se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë zbatuar reforma të mjaftueshme për të filluar procesin e anëtarësimit, por vendimi përfundimtar është në dorën e udhëheqësve politikë të Europës dhe tani duket e pamundur që Samiti në fund të këtij muaj do të japë një dritë jeshile”, shkruan “The Guardian”.

Media britanike e vë theksin tek skandalet e njëpasnjëshme që lidhin qeverinë dhe figura të caktuara kriminale dhe duke sjellë në vëmendje edhe rastin e ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri.

“Zor se kalon një muaj pa një skandal të ri që lidh ata që janë pranë pushtetit me figura kriminale. Një ish-ministër i Brendshëm pritet së shpejti të dalë në gjyq për akuzat për trafik droge. Javën e kaluar, tabloidi gjerman Bild publikoi materiale të zbuluara në të cilat dëgjohet një figurë famëkeqe e botës së krimit duke diskutuar zgjedhjet e vitit 2017 me dy kryebashkiakë nga Partia Socialiste e Ramës", thuhet më tej.

Ajo thekson se Rama nuk pranoi të thoshte nëse do të “disiplinonte” kryebashkiakët, duke pretenduar se Dako nuk e njihte bashkëbiseduesin e tij, pasi ai asi ishte një figurë kriminale që më pas u arrestua nën akuzat për trafik droge.

“Ai pranoi se Shqipëria kishte ende probleme me korrupsionin dhe krimin e organizuar, por këmbënguli që qeveria e tij po merrte hapa realë për t'i luftuar. I gjithë gjyqësori i është nënshtruar një procesi verifikimi, ndërsa Frontex ka nisur misionin e saj të parë jashtë BE-së në Shqipëri, për të na ndihmuar në luftën kundër krimit ndërkufitar”, shkruan gazeta britanike. “Ndërkohë që mbështetja ndërkombëtare për Ramën është dobësuar me kalimin e kohë së tij në detyrë pasi pak vëzhgues neutralë besojnë se lufta kundër korrupsionit është thjesht makijazh dhe se Partia Demokratike është më pak e prekur nga skandalet e blerjes së votave dhe lidhjeve shqetësuese me krimin “, thekson gazeta.

Kryeministri Edi Rama

“Ne duhet të ndryshojmë më shumë se qeveria. Ne kemi nevojë për një sistem të ri, një zgjidhje për dekadat e ardhshme “, thotë Blendi Fevziu për “The Guardian”.

Por pavarësisht dëshirës së ethshme se Ramës për t'u bashkuar me BE-në, gazeta paralajmëron se ekziston një shqetësim i vazhdueshëm sesi mund të jetë BE-ja në kohën kur Shqipëria të bashkohet me unionin.

“Duket sikur jemi të mallkuar, sepse kur BE ishte mirë, ne ishim keq; tani që po bëhemi më mirë, BE-ja po bie në telashe. Ajo që po ndodh në Britani duket shumë ballkanike. Marrëveshje, asnjë marrëveshje, kufi i butë, kufi i vështirë, asnjë marrëveshje. Tamam Ballkan! Është si parlamenti i Bosnjes. Ndërkohë që ne po përpiqemi të Europianizohemi, duket sikur ata po Ballkanizohen", thotë Rama.

Gazeta britanike thekson nga ana tjetër se pavarësisht skepticizmit për zgjerimin e unionin, Rama shihet në mesin e liderëve europian si një magjistar jokonformist.

“Në mesin e liderëve europianë, ai ka krijuar reputacionin e një magjistari jokonformist qysh kur mori kontrollin e qeverisë në vitin 2013. Një artist dhe ish-basketbollist profesionist, ai e priti gazetarin e The Guardian i veshur në stilin i tij, me një T-shirt dhe atlete. Një kosh basketbolli zbukuron dhomën e pritjes jashtë ambjentit të tij të punës, ndërsa brenda zyrës, muret janë të veshura me skica me ngjyra të ndezura që Rama i bën ndërsa është duke punuar në zyrën e tij. Njëra prej tyre është një imazh i Alastair Campbell që shfaqet si heroi kombëtar shqiptar, Skënderbeu, sipër një kali me shpatë në njërën dorë dhe me një iPhone në dorën tjetër.
Rama e ka quajtur Tony Blair frymëzimin e tij kryesor në politik dhe e angazhoi Campbell si konsulent politik”, shkruan gazeta,

Megjithtaë, ajo thekson nga ana tjetër se lidervët europianë janë jo pak të shqetësuar për situatën e brendëshme politike në Shqipëri dhe se hapja e negociatave vjen në një kohë kur në BE ka pak oreks për zgjerimin. “Detyra e Ramës herë pas here ka qenë e vështirë”, shkruan “The Guardian”.

“Mund t’ju them se Angela Merkel e kupton këtë plotësisht. Ajo është rritur në një vend komunist" tha ai.

Gjatë intervistës, Rama paralajmëroi se në rast se nuk hapen bisedimet e pranimit, Rusia, Kina apo radikalët islamikë mund të mbushin boshllëkun nëse BE nuk angazhon Shqipërinë.

Megjithatë gazeta britanike shkruan se udhëheqësit e tjerë janë më të vështirë për t’u bindur. “Në samitin e BE-së në Sofje vitin e kaluar Rama dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron u përfshinë në një debat të tensionuar mbi datën e fillimit të bisedimeve të pranimit në union”, thekson gazeta.

Gazetari i medias britanike ka intervistuar edhe Erion Veliaj, i cili thotë se Rama dhe Zoran Zaev duhet të shpërblehen për ndërmarrjen e reformave të vështira. “Unë mendoj se ata të dy janë trajtuar shumë keq. “Ata kanë marrë vendime shumë të dhimbshme, kanë rrezikuar mandatet e tyre, ndonjëherë edhe jetën e tyre. Na përfshini në familjen tuaj, nëse arrihet me procedura të përshpejtuara ose që zgjasin disa vjet. Le të vlerësojmë progresin, por mbani fjalën tuaj”, thotë Veliaj.

Sipas “The Guardian”, Rama nuk po kalon një moment të ndërlikuar vetëm në Bruksel, pasi protestat javore kundër qeverisë së tij vetëm sa janë intensifikuar. “Fundjavën e kaluar, mijëra veta u mblodhën në rrugën kryesore të Tiranës në një miting të zhurmshëm dhe të organizuar, duke valëvitur flamuj, balona dhe hedhur fishekzjarre. Ata u mblodhën duke thirrur “Rama, ik!” Dhe hodhën mjete piroteknike në drejtim të zyrës së kryeministrit, ndërsa policia vetëm shikonte”, shkruan gazeta.

“Ne kemi një kryeministër që është autoritar, arrogant dhe jo transparent”, thotë për median britanike Albana Vokshi, ish deputete e PD.

“The Guardian” sjell në vëmendje se ajo se dhe deputetë të tjerë të Partisë Demokratike dolën nga parlamenti dhe po kërkojnë që Rama të japë dorëheqjen.

Presidenti Ilir Meta ka bërë thirrje që zgjedhjet lokale të 30 qershorit të shtyhen, ndërsa Rama ka këmbëngulur se do të vazhdojë pa opozitën, duke thënë se ai nuk dëshiron të shpërblejë protestat në rrugë. Këtë javë ka pasur diskutime për të shkarkuar Presidentin në parlament, gjë që do ta zhyste vendin në një krizë të plotë kushtetuese, ndërkohë që debatet mbi hyrjen në BE, kanë hyrë në një moment të vështirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë