Kemi hyrë në muajin qershor dhe për futbollin fillon zyrtarisht një nga periudhat më argëtuese për tifozët pasi ndodhin lëvizjet më të bujshme të futbollistëve. BBC ka bërë një renditje të lëvizjeve më të bujshme që mund të ndodhin brenda këtij muaji për lojtarët, por edhe trajnerët që pritet të ndryshojnë ekipet.
Në mesin emrave më të mëdhenj të Europës që pritet të ndryshojnë ekip, është edhe mbrojtësi shqiptar Elseid Hysaj. Duke shkëputur fjalën e shkodranit nga konferenca e fundit për shtyp, BBC thotë se Hysaj do të largohet këtë verë nga Napoli. Tre pistat më të përfolura si ekipet e ardhshme të futbollistit shqiptar janë Inter, Çelsi dhe Mançester Junajtid. Nga të treja ekipet ka pasur interesim edhe vitin e shkuar dhe këtë verë pritet që të bëjnë propozimet e tyre konkrete për të marrë Hysajn në gjirin e tyre. Mbetet për t’u parë se cilën do të zgjedhë mbrojtësi shqiptar.

Edhe pse nën vëzhgim të rreptë nga UEFA në lidhje me shpenzimet dhe transaksionet financiare, Çelsi i Roman Abramoviç nuk ka ndërmend të ndalet. Emri më i ri që lidhet me ekipin londinez është ai i brazilianit, Felipe Kutinjo. Sulmuesi nuk është i lumtur te Barcelona dhe po kërkon një aventurë të re dhe kthimi në Premier Ligë mbetet një opsion shumë i pëlqyer.
Mançester Junajtid me dirigjimin e Solskjaer pritet të bëjë një fushatë shumë agresive blerjesh këtë sesion merkatoje. Bruno Fernandez dhe Zherom Boateng janë dy prej lojtarëve që po ndiqen me vëmendje dhe pritet të jenë afrimet e para të “djajve të kuq”. Brenda kësaj jave pritet zyrtarizmi i kalimit të Antoni Grizman te Barcelonë, pasi më herët francezi zyrtarizoi largimin e tij nga Atletiko Madrid. Liverpuli pas triumfit në Ligën e Kampionëve kërkon të forcohet akoma më shumë dhe në këtë merkato objektivi kryesor është gjermani Timo Verner.

Në drejtim të merkatos së trajnerëve klubet italiane janë ato më aktivet. Interi zyrtarizoi marrjen e Antonio Kontes, duke konfirmuar se sezonin e ardhshëm do të luftojë për titullin kampion. Juventus është shumë pranë firmës me Mauricio Sarrin pas divorcit të këtij të fundit me Çelsin. Edhe Milan po kërkon trajnerë dhe francezi Zhardim është më i pëlqyeri për drejtuesit kuqezinj. Sa i përket Xhenaro Gatuzos që u dorëhoq nga drejtimi i “djallit” kjo verë projekton një kalim në Premier Ligë te Aston Vila, aty ku Rafa Benitez shikohet si i larguar nga mediet angleze.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




