Politike


Shtrëngime të ftohta duarsh mes Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiç, asnjë shenjë për rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi, përplasje mes dy presidentëve shqiptarë në lidhje me prezencën e përfaqësuesit të Bosnjës, fotografi familjare dhe apele për të ardhmen e përbashkët europiane. Dhe në fund, Thaçi ka refuzuar drekën e përbashkët me Metën, Vuçiç dhe Dodik pas samitit. Kështu mund të përkufizohet takimi disa orësh i liderëve të procesit të Brdo-Brijunit, i mbajtur në Shqipëri. Presidentët e Polonisë dhe të Sllovenisë, Andrzej Duda dhe Borut Pahor kërkuan që anëtarësimi i vendeve të Europës Juglindore në Bashkim Europian duhet të jetë në krye të axhendës së Komisionit Europian pas krijimit të institucioneve që do të dalin nga zgjedhjet evropiane.

Ndërkohë Presidenti shqiptar, Ilir Meta, si organizues i këtij takimi deklaroi se samiti i zhvillua në një frymë pozitive dhe konkluzionet e tryezës do të paraqiteshin në samitin e ardhshëm që do të mbahen në nëntor të këtij në Slloveni.

Ne samit të pranishëm ishin presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, Presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviç, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, Presidentja e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitaroviç dhe Milorad Dodik i Bosnje-Hercegovinës, ndërsa ai i Maqedonisë së Veriut, George Ivanov nuk ishte i pranishëm. Ivanov është në mbyllje të mandatit dhe në vend të tij është zgjedhur Stevo Pendarovski. Por arsyeja duket se ka qenë tjetër: Ivanov nuk ka dashur të përfaqësojë vendin e tij si Maqedonia e Veriut, pasi ka qenë kundër Paktit me Greqinë për emrin. Për shkak se ky samit përkoi më Javën e Europës, të ftuar nderi ishin shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini dhe Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda.


Apeli i fortë për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor
Presidentët e shteteve anëtareve të BE-së, Pahor, Duda dhe Kitaroviç bënë një apel të fortë ndaj vendeve anëtare më me peshë të Unionit, duke deklaruar se zgjerimi me Ballkanin Përendimor duhet të jetë një prioritet kryesor në axhendën e tyre. Presidentja kroate Kitaroviç ishte më e drejtpërdrejt në apelin drejtuar BE-së, duke deklaruar se është e shqetësuar për vakuumin që po krijohet me vendet e Europës Juglindore. “Jam e frikësuar për situatën aktuale, diskutimet brenda vetë BE jemi duke krijuar një vakum për Ballkanin. Ky vakum duhet të plotësohet dhe të mbushet me influenca të atyre palëve që nuk janë përfituese për Rajonin. Për vendet kandidate, reformat që janë pezull duhet të ndërmerren. Kroacia do të marrë presidencën në gjysmën tjetër të vitit 2020 dhe gjatë presidencës sonë ne do të theksojmë Evropën Juglindore, për t’ju pasur në axhendën. Duhen dy veta për të kërcyer tango. Ne do ju shtyjmë në përpjekjet tuaja, por edhe ju duhet të ndërmerrni hapat tuaja. Muzika ka një kohë të gjatë që është duke luajtur. Duhet të përfshijmë njëri-tjetrin dhe le ta kryejmë këtë”, deklaroi Kitaroviç.

Presidentja kroate bëri të ditur se “Zagrebi do të mbështesë hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Dëshirojmë të shikojmë edhe Bosnjë Hercegovinën të bëhet sa më shpejt një vend kandidat. Dëshirojmë sa më shpejt liberalizimin e vizave për Kosovën. Ne jemi dhe mbështesim një proces mbi meritën dhe çdo vend duhet të ndjekë hapat e duhura në rrugën për anëtarësim në BE” theksoi ajo.
Presidenti Duda gjatë fjalës së tij përmendi një shprehje të Papa Vojtilës se “Polonia ka nevojë për Europën, ashtu si Europa ka nevojë për Poloninë”, duke e perifrazuar se “Europa ka nevojë për Europën Juglindore dhe kjo e fundit për Europën”.
Pahor hodhi idenë se pas zgjedhjeve evropiane, strukturat e reja të KE-së duhet të marrin një vendim sui generis për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke e vendosur në axhendën e diskutimeve.

Presidentët në konferencë pas samitit

“Jam i surprizuar pozitivisht nga atmosfera në seancën sot. Nuk po them se në zgjidhëm problemet, por ne kemi trajtuar çështjet në mënyrë të hapur dhe i kemi debatuar në mënyrë shumë miqësore. Pas zgjedhjeve evropiane procesi i zgjerimit nuk do të jetë në nivelin e lartë të ditës të Komisionit Europian. Varet nga ne t’i marrim ato çështje të hapura, t’i zgjidhim ato që ky rajon të jetë më tërheqës për BE sesa është për momentin. Është e dukshme për mua që pas zgjedhjeve evropiane, dhe pas zgjedhjes së Komisionit të ri, është koha për Brukselin të shikojë procesin e zgjerimit ndaj Ballkanit Perëndimor, në një mënyrë tjetër, sui generis. Është e natyrshme që KE do t’i drejtojë negociatat me qeveritë e vendeve të ndryshme. Në të njëjtën kohë KE, PE, i gjithë BE, duhet të ketë përpara syve të tyre panoramën e përgjithshme të Rajonit, dhe duhet të përpiqen të ftojnë të gjithë në proces pasi të gjithë do të varen nga njëri-tjetrin dhe ekziston një mundësi që problemet do të zgjidhen në një mënyrë më të mirë sesa janë zgjidhur tani”, theksoi presidenti slloven. Qëndrimi i tij u mbështet edhe nga homologu polak, i cili pranoi se duhet të jetë pjesë e axhendës së BE-së.

Kosova dhe presidenti i Bosnjës
Marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës ka qenë pikë e diskutimeve mes presidentëve në tryezë. Komisionerja e Lartë e BE-së, Federicha Mogherini është detyruar që të braktisë tryezën e sotme duke mos qenë e pranishme gjithë kohës për shkak se në Rumani po zhvillohej një “samit” informal me shtetet anëtare të BE-së, ku do të vendoseshin postet drejtuesve të KE-së, pas zgjedhjeve europiane.
Debati ka qenë i hapur dhe konstruktiv ishin qëndrimet e të gjithë deputetëve. Ndërsa samiti pas fotos familjare të presidentëve, u shoqërua edhe me një shtrëngim duarsh mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiç. Presidenti serb ka qenë i pari që është pritur nga Meta, Kitaroviç dhe Duda. Pas takimit formal, Vuçiç shmangu foton familjare me tre presidentët.

Thaçi dhe Vuçiç duke u takuar para nisjes së samitit


I dyti ka hyrë presidentit malazez Gjukanoviç, i cili iu përmbajt protokollit zyrtar. Presidenti i Kosovës ishte i katërti që shtrëngoi duart me tre mikëpritësit e këtij samiti, e në fund ishte komisionerja e lartë e KE-së, Mogherini.
Çështja e marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovë ka qenë pjesë e tryezës së këtij takimit. Thaçi pas samitit deklaroi se ka kërkuar liberalizimin e vizave nga BE-ja dhe se dialogu me Serbinë duhet të vijojë pa kushte.

Presidenti i Serbisë Vuçiç dhe “vëllai” i tij boshnjak, Dodik

“Theksova domosdoshmërinë që të ndodhe liberalizimi i vizave për Kosovën. Nëse vazhdon mos dhënia e këtij vendimi kjo është diskriminim dhe ndëshkim ndaj qytetarëve të Kosovës. Theksoj se tarifa ka qenë vendim i drejtë dhe legjitim dhe i tillë do të mbetet në fuqi. Duhet të vazhdojë dialogu i pakushtëzuar me mundësitë e arritjes së një marrëveshje për normalizim të plotë, ligjërisht obliguese, gjithëpërfshirëse që nuk krijon vija etnike të kufijve. Që vendet tona mbeten multietnike që përfshin Luginën e Preshevës, Metvegjes dhe Bujanocit në territorin e Kosovës. Krijimi i asociacionit të komunave serbe në Kosovë është i papranueshme dhe nuk mund të ndodhë. Taksa me Serbinë ishte një vendim i ligjshëm dhe do mbetet në fuqi. Vendet e BE tani do të jenë më unike, jo siç ka ndodhur në Berlin. Shpresoj se Samiti i Parisit do të jetë më i organizuar. Kam qenë i tmerruar kur u informova që në Berlin nuk kanë qenë të informuar dhe të koordinuar organizatorët me SHBA. Pa rolin e SHBA nuk ka dialog dhe jo më marrëveshje apo implementim”, deklaroi Thaçi.

Ndërsa presidenti serb Vuçiç nuk ka preferuar të japë ndonjë deklaratë pas mbylljes së samitit, duke u larguar menjëherë nga vendi i takimit dhe shmangur mediat kosovare. Vuçic foli vetëm për mediat serbe pas samit të sotëm.
“Nuk dua të përmend fjalën mosmarrëveshje, por historia është e dukshme, me atë që përballem me vendin tim, këto dukuri kanë ndodhur për herë të fundit pas luftës së dytë botërore, ne shikojmë Ekon e atyre ngjarjeve, ka njëlloj dhimbje e këto çështje mund të diskutohen më me në qetësi, këto çështje duhet të zgjidhjen nëpërmjet dialogut mes liderëve, nëpërmjet dialogut mes kombeve dhe rrugës së integrimit në BE”, theksoi presidenti polak.

Më me pozitivitet u shfaq presidenti Meta, i cili e kaloi situatën për çështjen e zgjidhjes së marrëveshjes së dialogut mes Serbisë dhe Kosovës me një batutë. “Pavarësisht nga diferencat e ndryshme ky samit ka qenë tepër i rëndësishëm. Të gjithë do të donim që edhe dialogu Serbi-Kosovë të kishte përfunduar dje, jo sot dhe as nesër, nëse do të kishin ndodhur të gjitha proceset menjëherë do të mendonim se ishim në Benelux dhe jo në këtë vend të Europës”, theksoi Meta. Ai u pyet edhe për deklaratat e Thaçit që e kishte cilësuar jo të drejtë prezencën e presidentit serb të Bosnjës në këtë samit. “Samiti ka një format të përcaktuar dhe z.Dodik ka qenë i ftuar dhe mirëseardhur si president i radhës i Bonjës, besoj se ka mbetur i kënaqur, ishte hera e parë që vinte në Tiranë dhe ka premtuar se do të vijë edhe për turizëm, pasi kishte dëgjuar për mikpritjen shqiptare”, theksoi Meta.

Samiti i sotëm pati vetëm një zhvillim atë të uljes së presidentëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor pas samitit të Berlinit, i cili u zhvillua në një klimë tensioni sa i përket çështjes së heqjes së taksës së qeverisë së Prishtinës ndaj Beogradit dhe Bosnje-Hercegovinës. Në këtë samit u vu re që edhe vetë shqiptarët nuk ishin unik, pasi u shoqërua dhe me përplasje deklaratash mes Metës dhe Thaçit. Samiti i ardhshëm pritet të mbahet në nëntor në Ljubjanë të Sllovenisë, ku palët do t’i dërgojnë një ftesë sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, si një tregues që synon avancimin e zgjidhjes së konfliktit të rajonit, i cili dikur etikohej si “Fuçi baruti”.

Konkluzionet e Samitit në Tiranë

Pas këtij takimi, Presidenca shqiptare bëri publike konkluzionet e arritura. “I bëjmë thirrje Bashkimit Europian të konsiderojë zgjerimin e tij në Ballkanin Perëndimor si një çështje me rëndësi gjeopolitike, duke pasur parasysh se integrimi i plotë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në sistemin europian të vlerave është një faktor i rëndësishëm edhe për vetë stabilitetin e përgjithshëm europian. Kjo nuk përjashton detyrimin e vendeve kandidate për të zbatuar standardet e vendosura nga Bashkimi Europian ndaj vendeve që kërkojnë anëtarësim të plotë në të. Ne besojmë se është reciprokisht e rëndësishme për paqen, sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe të Shteteve Anëtare të Bashkimit Europian, që standardet të respektohen dhe procesi i negociatave të bëhet më fleksibël si dhe më i shpejtë”, thuhet në deklaratë e shpërndarë.

Më tej theksohet se “kemi njohur dhe pranuar se përparimi i shënuar deri më tani, ka kontribuar në konsolidimin e demokracisë, të paqes, sigurisë, stabilitetit, si dhe në rritjen e bashkëpunimit rajonal.

Në këtë deklaratë theksohet se është mirëpritur marrëveshja e fundit të Prespës dhe arritëm në përfundimin se një shembull i tillë i hap rrugën forcimit të lidhjeve europiane dhe euroatlantike me rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Të vetëdijshëm për debatet e brendshme intensive që po zhvillohen në gjirin e Bashkimit Europian, në kontekstin e BREX-it dhe të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare europiane, ne mirëpresim përkushtimin e BE-së përkundrejt rajonit të Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe përmes proceseve të Berlinit dhe Brdo-Brijunit, si dhe përmes takimit të fundit të mbajtur në Berlin me nismën e Kancelares gjermane, Angela Merkel si dhe të Presidentit francez, Emmanuel Macron me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të Kroacisë dhe të Sllovenisë”, thuhet në deklaratë e publikuar.

Gjithashtu i bëhet thirrje Bashkimit Europian që të konsiderojë zgjerimin e tij në Ballkanin Perëndimor si një çështje me rëndësi gjeopolitike, duke pasur parasysh se integrimi i plotë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në sistemin europian të vlerave është një faktor i rëndësishëm edhe për vetë stabilitetin e përgjithshëm europian.

“Kjo nuk përjashton detyrimin e vendeve kandidate për të zbatuar standardet e vendosura nga BE ndaj vendeve që kërkojnë anëtarësim të plotë në të. Ne besojmë se është reciprokisht e rëndësishme për paqen, sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe të Shteteve Anëtare të BE, që standardet të respektohen dhe procesi i negociatave të bëhet më fleksibël si dhe më i shpejtë”, theksohet në deklaratë. Ndërsa krerët e Ballkanit zotohen që të angazhohen për një dialog mes tyre dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

“Ramë dakord mbi nevojën për të forcuar edhe më tej proceset e dialogut dhe pajtimit në rajon, bazuar në të vërtetën, besimin si dhe aderimin në të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani, si dhe duke mbajtur parasysh ruajtjen e paqes, sigurisë dhe begatisë së brezave të tanishëm e të ardhshëm. Ne biem dakord që Sllovenia do të jetë mikpritësja e ardhshme e Takimit të Jashtëzakonshëm të Udhëheqësve të Procesit Brdo-Brijuni, në fund të këtij viti”, përfundon deklarata e presidentëve të 6 vendeve të rajonit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë