Ne rrjet

Thaçi: Pakti, hapi më serioz i SHBA në Ballkan. Nuk cënohet partneriteti me Turqinë

Presidenti Hashim Thaçi ka vlerësuar sot në një konferencë  për shtyp marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë mes kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit Aleksandër Vuçiç.

Duke folur përpara gazetarëve, presidenti deklaroi se në takimin e Uashingtonit u formalizuan përpjekjet e bisedimeve të tij me zyrtarët e lartë amerikanë në dy vitet e fundit. Sipas Thaçit, marrëveshja e së premtes i hodhi poshtë ato që ai i quan “konspiracione dhe paragjykime”.

Thaçi thotë se në të gjithë takimet që ai i ka pasur me Presidentin amerikan, Donald Trump, ai i ka folur për vlerësimet që ka për Kosovën. 

“Presidentin Trump, më ka folur për Kosovën si një vend të mrekullueshëm”, deklaroi ai.

Presidenti thotë se marrëveshja që u nënshkrua nga kryeministri Avdullah Hoti të premten është rezultat i përpjekjeve diplomatike të SHBA-së për të pajtuar dy vendet, por edhe përpjekjeve të tij.

“Ndihem i lumtur dhe krenar që pas përpjekjeve dhe punës së përbashkët për dy vjet, të premten e kaluar arritëm që në Shtëpinë e Bardhë të formalizohen këto marrëveshje”, deklaroi presideni, duke e quajtur marrëveshjen e nënshkruar të premten, si hapin më serioz të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor.

“Hasëm në vështirësi, pengesa, konspiracioni nga shumë anë. Me formalizimin e marrëveshjes, u konfirmua se ato kanë qenë paragjykuese”.

Duke u ndalur tek përmbajtja e marrëveshjes, Thaçi, tha se njohja e Kosovës nga Izraeli ka ndodhur në momentin më të duhur të mundshëm dhe se ajo nuk do ta cenojë partneritetin me Turqinë.

Izraeli, tha ai, ka qenë i përfshirë në procesin e Kosovës që nga periudha e luftës, duke strehuar refugjatë nga Kosova.

“Se pse është vonuar njohja, është çështje tjetër dhe e kuptueshme për interesin e Izraelit…. Megjithatë, kjo ka ndodhur në momentin më të duhur të mundshëm”, tha Thaçi.

Deklarata e presidentit vjen pasi ambasada turke në Prishtinë reagoi, duke thënë se Turqia e kundërshton hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

“Turqia, si një nga vendet e para që njohu Kosovën, gjithashtu që ka siguruar një mbështetje të madhe për përpjekjet drejt njohjes ndërkombëtare të këtij vendi që nga fillimi, nuk e sheh të drejtë që ky proces të ndërtohet në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe veçanërisht mbi vuajtjet e popullit palestinez, territoret e të cilit janë nën okupim”, tha Ambasada e Turqisë në Prishtinë në një postim në mediat sociale, ditën e diel.

Duke folur për bisedimet me palën serbe, kreu i Shtetit të Kosovës thotë se nuk ka rëndësi që ai nuk ishte fizikisht i pranishëm në Uashington.

Presidenti nuk i ka kursyer sulmet as për armiqtë e brendshëm politikë, duke thënë se njëherë e pranojnë marrëveshjen dhe më pas jo. Kjo deklaratë  duket se i referohet ish-kryeministrit Haradinajn, i cili të premten tha se nuk e përkrahte marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë, e pas pak doli pro saj.

“Unë nuk jam nga ata që ndërmarr pozicione politike, duke i ndryshuar çdo 10-15 minuta herë, I rëndësishëm është orientimi strategjik i Kosovës dhe që të ruhet partneriteti i përjetshëm dhe besimi i plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Thaçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë