Kosova

Thaçi në Hagë: Viktimat nuk marrin drejtësi kur ndiqen të pafajshmit. Kërkoj shfajësim nga çdo akuzë (video)

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi gjatë fjalës së tij para Dhomave të Specializuara në Hagë, ka mohuar edhe një herë të gjitha akuzat me të cilat e ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Ndiej keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat e kësaj lufte pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare, apo politike. Unë jam i pafajshëm për të gjitha këto akuza. Por, jam gati të përballem me këtë sfidë të re dhe të kem sukses për familjen time, popullin tim”, tha Thaçi.

Në ditën e dytë të gjyqit, ai shtoi se ky gjykim ka hequr "renë e zezë" mbi Kosovën, sa i përket pretendimeve të ish-senatorit amerikan, Dick Marty, për trafikim organesh nga UÇK-ja.

"Bota tani e di sot si rezultat i këtij procesi se nuk kishte trafikim organesh dhe se Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë edhe UÇK-ja, populli i Kosovës dhe gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Pra, kjo sakrificë ja ka vlejtur", tha Thaçi.

Ai tha se ky gjykim është “rrugëtim drejt të vërtetës dhe drejtësisë” dhe sipas tij viktimat nuk marrin drejtësi përmes përndjekjes të të "pafajshmëve".

"Padrejtësia nuk ndreqet me një padrejtësi tjetër”, tha Thaçi.

Ish-kreu politik i UÇK-së ka treguar motivin që e shtyu të kthehet nga Zvicra për t’iu bashkuar luftës në Kosovë kundër regjimit të ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë në vitin 1998.

“Rruga drejt lirisë ishte e gjatë dhe e vështirë. Isha student në Zvicër, i strehuar politik kur u masakrua familja Jashari në 98-n. Edhe unë u ktheva të ndihmoj vendin tim dhe u bashkova për rezistencë. Kushdo që do të ishte në vendin tim, do të bënte të njëjtin. Ushtria përbëhej nga njerëz të thjeshtë, që përpiqeshin të shpëtonin familjen e tyre. Ata luftuan e shumë ranë heronj. Mijëra familje i humbën të dashurit nga qindra masakra të forcave serbe.

Gjatë këtij procesi ne do të udhëtojmë prapa në kohë dhe ngjarje që kanë ndodhur 20 vjet më parë. Duhet ta keni parasysh që mbamendja 25 vjet më vonë është e mjegulluar. Realiteti po ngatërrohet me opsioneve dhe agjenda të ndryshme. Spekulimet po shndërrohen në fakte. Inatet politike nuk duhet të kuptohen si akte në këtë sallë. Këto vlejnë edhe për disa botime e opinione të përshtatura të akterëve të luftës”, tha Thaçi.

Ai është shprehur se beson te Tribunali i Hagës, UNMIK, ELUEX, dhe Dhomat e Specializuara.

“Unë jam intervistuar nga këta mekanizma edhe në cilësinë e dëshmitarit dhe të dyshuarit. Çdo bashkëpunim i imi me të gjithë këta aktorë ndërkombëtarë ka qenë në interes të drejtësisë dhe plotësisht transparent qoftë në Prishtinë apo Hagë. Gjithçka tjetër që thuhet është e papranueshme. Prandaj askush nuk duhet dhe nuk mund ta shkruaj historinë, ky është çmimi i lirisë. Unë besoj në paqe, të vërtetën, pajtim dhe drejtësi. Unë besoj që ky proces do të jetë i drejtë, transparent dhe i shpejt.”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë