Analize

Thaçi “ledhaton” idenë e shkëmbimit të territoreve

Në Bruksel, Hashim Thaçin e shohin ende si njeriun e kompromiseve. Njeriu që në 1999 firmosi Marrëveshjen e Rambujesë vijon të mbetet jo vetëm interlokutori kryesor për BE-në, por edhe mbështetës i ideve që qarkullojnë ditët e fundit në qarqet diplomatike, se pa një rirregullim të vogël kufijsh, Ballkani Perëndimor nuk mund të qetësohet. Ndryshe nuk mund të shpjegohet “rrëshqitja” dialektike e kësaj të marte e Presidentit të Kosovës, kur i pyetur nga gazetarët në Prishtinë mbi idenë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë, u përgjigj në mënyrë evazive: “se e drejta për të ardhmen e banorëve të Luginës së Preshevës dhe Veriut të Kosovës, u takon atyre qytetarëve që jetojnë atje dhe kjo duhet të respektohet”. Në një kohë që bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian mes Prishtinës dhe Beogradit janë në fazën finale, në Mitrovicë kërkojnë të bashkohen me Serbinë, ndërsa në Preshevë e Bujanoc, të bashkohen me Kosovën.

Presidenti Thaçi gjithsesi nuk ka dhënë ndonjë përgjigje konkrete lidhur me idenë e kohëve të fundit për shkëmbimin e territoreve, ku do të përfshihej veriu i Kosovës dhe Lugina e Preshevës, ide që më herët e ka lançuar nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri. “Për shkëmbimin e territoreve ka njerëz që flasin në Kosovë e Preshevë. Nga ajo që kam dëgjuar, opinionet nuk i hedh të pamenduara ose të paanalizuara, mirëpo e kuptoj shqetësimin e secilit qytetar në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc”, u shpreh ai. Presidenti i Kosovës tha se i kupton shqetësimet e qytetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit dhe se rrëfimet e tyre janë shqetësim i të gjithëve. Ai shtoi se e drejta për të ardhmen e tyre, u takon atyre qytetarëve dhe kjo duhet të respektohet.

Hashim Thaçi dhe Aleksader Vuçiç

Ideja e shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi që deri diku po “ledhatohet” nga diskursi publik i Presidentit të Kosovës, ndërkohë ka një kundërshtim të madh nga qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj. Madje ai ka shkuar edhe më tej duke dhënë edhe një paralajmërim të frikshëm. Gjatë një intervistë në studiot e një televizioni lokal në Prishtinë, ai u shpreh se “prekja e territorit për të nënkupton luftë”.

“Ndarja për mua është luftë, unë këtë e them pa hezitim dhe është rrezik me fol për ndarje…”, deklaroi Haradinaj, teksa debatonte për çështjen e shkëmbimit të territoreve. Sipas tij, kushdo që përmend ndarjen e territoreve, dëshiron që t’i sjellë një tjetër tragjedi Ballkanit. “Nuk është mirë të përmendim ndarjen. Kushdo që e përmend ndarjen, për çfarëdo arsye, e ka gabim. Nuk ka ndarje, nuk ka shkëmbim territoresh, lëvizje kufijsh, është rrezik. Kjo nuk bëhet në këto rrethana”, ka thënë ndër të tjerash kryeministri Haradinaj.

Federica Mogerini, Hashim Thaçi dhe Aleksader Vuçiç

Vetëm pak ditë më parë, Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj e zgjeroi edhe më tej problemin, në rast të një vendimi eventual për të shkëmbyer territoret. Pikërisht nga kufiri me Shqipërinë, ai deklaroi se faza e fundit e dialogut me Serbinë, duhet t’i shërbejë stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe jo e kundërta. “Dikush në Beograd dhe Bruksel mendon se sa i takon normalizimit të raporteve me Serbinë nuk duhet të ketë vija të kuqe. Atëherë, nëse këto vija të kuqe nuk vlejnë në raport me fqinjin tonë verior, nuk duhet të vlejnë as në raport me Shqipërinë”, tha ai.

Ai tha se çdo ndryshim i karakterit të brendshëm të Kosovës në parime territoriale mund të prodhojë gravitet të ri të jashtëm rajonal. “Kosova e pavarur është gurthemeli i fundit i paqes mes popujve në Ballkan, por edhe gurthemeli më i rëndësishëm për t’i ruajtur balancat etnik dhe nacional në hartën e Ballkanit. Sikurse Kosova shumë-etnike është projekt shtetëror jo vetëm për ta jetësuar vullnetin politik të shumicës, por për t’i ruajtur edhe balancat e brendshme mes grupeve etnike në Kosovë. Çdo ndryshim i karakterit të brendshëm të Kosovës në parime territoriale, mund të prodhojë, si pasojë, një gravitet të ri të jashtëm rajonal”, vazhdoi më tej Hoxhaj.

Sipas Ministrit të Jashtëm, para 12 vjetësh ka pasur disa parime, disa parametra dhe disa vija të kuqe se si është arritur deri te pavarësia e Kosovës; parime dhe vija të kuqe që nuk duhen shkelur.

Hashim Thaçi dhe Aleksader Vuçiç

Muhamet Kelmendi, profesor i së Drejtës në Prishtinë, njëherazi edhe anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se zanafilla e këtyre “pazareve” që tashmë sipas tij po dalin në sipërfaqe, e ka zanafillën që në konferencën e Rambujesë, ku Presidenti aktual Hashim Thaçi ishte firmëtar. "Çështja e ndarjes së Kosovës fillon me Konferencën e Rambujesë dhe ka vazhduar me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Fillimi i tillë nga faktori ndërkombëtar, i përkrahur nga faktori i brendshëm, respektivisht nga Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi, ka vazhduar edhe me Kornizën kushtetuese të Kosovës, sepse në nenet e saj u përcaktua ndarja e pushtetit në fushat kryesore, si në territor, në qeveri, në komuna dhe në Kuvend”, shprehet prof.Kelmendi.

Sipas tij, vija politike për të ardhur deri tek pazaret e shkëmbimit të territoreve është ndjekur besnikërisht nga pasuesit politikë të Rugovës dhe vetë Hashim Thaçit. Ai shprehet gjithashtu se “nuk duhet të përjashtohen edhe interesat gjeostrategjike, ushtarake dhe ekonomike të Lindjes dhe të Perëndimit në raport me Ballkani. “Në këto interesa, për fat të keq, Kosova është në mes dhe subjekt për kënaqje të orekseve të ndryshme territoriale dhe të raporteve ndërshtetërore", është shprehur prof.Kelmendi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë