Politike

Thaçi kundër Tiranës: Ne s’po ndërhyjmë për “detin”

Hashim Thaçi ka dalë shpesh në konferenca për shtyp në javët e fundit dhe në të gjitha ato ka shpjeguar se ideja e tij për korrigjimin e kufijve me Serbinë nuk do të thotë automatikisht shkëmbime territori.

Edhe në konferencën e kësaj të enjteje, Presidenti i Kosovës ishte koherent me qëndrimet e mëhershme. Foli për domosdoshmërinë e një dialogu me Serbinë si e vetmja rrugë për të gjetur një marrëveshje që do t’u hapte derën e integrimit europian të dy vendeve dhe të anëtarësimit në NATO për Kosovën.

Por, ajo që Hashim Thaçi nuk kishte shqiptuar asnjëherë deri më tani, ishte qëndrimi e tij përballë zërave të Tiranës që i kundërvihen ndryshimeve të kufijve të Kosovës.

“Ky proces tani është në një gjithpërfshirje shqiptare, por në fund është vendim i institucioneve të Kosovës, i qytetarëve të Kosovës, kjo është me rëndësi. Konsultime duhet të ndodhin me të gjithë. E vlerësoj që janë të nevojshme dhe të përhershme prej 3 dekadash me autoritetet në Shqipëri. Por, ne jemi dy vende sovrane dhe vendimarrja i takon Prishtinës në fund, sikurse ne nuk kërkojmë të përfshihemi në debatin e tyre për çështjen e detit me Greqinë. Është çështje e tyre”, thotë ai.

Presidenti i Kosovës rrëzon termin “dialog shqiptaro-serb”, i përdorur më së shumti nga homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiç.

“Nuk ka dialog mes shqiptarëve dhe serbëve. Ka dialog mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë. E sotmja dhe e ardhmja e marrëdhënieve shqiptaro-serbe kalon përmes Prishtinës për në Tiranë dhe jo ashtu siç pretendon Beogradi, nga Tirana në Prishtinë, për këtë të jemi të qartë. Ndaj sa më shpejt që të arrijnë marrëveshje, aq më mirë për dy vendet dhe dy popujt tanë”, vijon ai.

Konferenca dhe këto deklaratë u realizua pas turit të vizitave zyrtare dhe jozyrtare të Thaçit në Maqedoni, Mal të Zi dhe Shqipëri. Në Shqipëri pati një takim informal me Presidentin Ilir Meta.

https://www.facebook.com/HashimThaciOfficial/photos/a.606015099468853/2157772187626462/?type=3&theater

Ilir Meta e ka ruajtur gjuhën diplomatike për debatin e hapur nga homologu i tij kosovar për çështjen e kufijve, por ish-Kryeministri Sali Berisha jo. Përmes një postimi të disa javëve me parë, Berisha i kundërvihet idesë së Hashim Thaçit dhe si përgjigje mori mbrapsht një reagim të ashpër të Presidentit kosovar, që i kujtonte shkeljen e embargos së naftës ndaj ish-Jugosllavisë në mes të viteve ’90.

Nëse zërave të Tiranës, Presidenti i Kosovës ua vendosi “kufirin tek thana” dhe u bëri të qartë se çdo vendim për kufirin është ekskluzivitet i autoriteteve kosovare, për kundërshtarët e idesë së tij në Prishtinë bën thirrje për dialog.

“Ky është një proces i ndjeshëm e kompleks, kështu që në kuadër të mendimeve dhe qëndrimeve të ndryshme mund të krijohen divergjenca pro apo kundër marrëveshjes. Të gjithë janë për dialog dhe negociata dhe të gjithë do ta mirëprisnin një marrëveshje Kosovë-Serbi, që hap një perspektivë të rëndësishme për Kosovën anëtare të Bashkimit Europian dhe të NATO-s”, deklaroi Thaçi.

Sa i takon dialogut, Presidenti kosovar këmbëngul se nuk është një proces i lehtë. Ai refuzon që të japë afate, por i qëndron idesë se sa më shpejt, aq më mirë për qytetarët e Kosovës. Pyetjes se përse ngutet në gjetjen e një zgjidhjeje me serbët, në një kohë që Beogradit po i shtrëngohet “laku” i presionit nga Bashkimi Europian në kuadër të bisedimeve të anëtarësimit, Thaçi i përgjigjet:

“Nëse dikush mendon se Serbia do të detyrohet që të na njohë dhe pastaj flasim, çfarë ka për të folur Serbia pastaj? Duhet të jesh shumë naiv dhe injorant për ta thënë këtë. Është padituri totale që të mendosh se kjo do të ndodhë pa demarkimin e kufirit. Ne e kemi demarkuar kufirin me Malin e Zi dhe me Maqedoninë”.

Marrëveshja thotë se do t’i garantonte Kosovës njohjen nga pesë vendet anëtare të BE-së që s’e njohin ende, anëtarësimin në OKB dhe njohjen nga 80 vendet e tjera të botës që s’e njohin ende shtetin e Kosovës.

Megjithatë, i qëndron besnik parimit se është gati të firmosë një marrëveshje vetëm kur të bindet se është në interes të Kosovës dhe që ka pëlqimin e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.

Në këtë konferencë, gazetarët sfiduan Presidentin e Kosovës me pyetjen se kur do të vizitonte Liqenin e Ujmanit dhe veriun e vendit.

https://www.facebook.com/HashimThaciOfficial/videos/380475359169337/?fb_dtsg_ag=AdwrIQg4hTnY4lHmXnDiwT5noU2hMmwY5jbehh5MTp7TTA%3AAdxhYzdl4DFW5OnJX-kd0gmzXp5tC2ASDRK1LmhUrzYPzA

“Unë kam qenë në veri edhe më herët dhe kur të dua shkoj në çdo cep të territorit të Kosovës. Në 2011 kemi vendosur pikat doganore në veri”, u përgjigj ai.

Thaçi ritheksoi se nuk do të lejojë ndarjen e Kosovës, as krijimin e një Republike Srpska në Kosovë dhe as fuqi ekzekutive për bashkësinë e komunave serbe, ndërsa pohon se me qëndrimin dhe aktivizimin e tij nuk po sfidon Kuvendin e Kosovës.

“Unë jam President i vendit dhe kam mandatin e plotë kushtetues dhe ligjor. Nuk dua të sfidoj Parlamentin, por respektoj përgjegjësitë e mia kushtetuese dhe ligjore. Nëse Parlamenti më thërret për sqarim në mënyrë konsensuale unë do të jem aty, por jo për debate, pasi nuk mund të përfshihem në debate”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë