“Është koha për një marrëveshje historike mes dy vendeve”. Me këtë fjali dhe duke marrë si shembull marrëveshjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mbrojti qëndrimin dhe idenë e tij për “korrigjimin” e kufijve me Serbinë.
Në një tryezë të organizuar nga Instituti Demokratik në Kosovë, Thaçi parashtroi platformën e vet përmes katër pikëve kryesore.
“Së pari, synojmë një marrëveshje përfundimtare dhe jo një marrëveshje që do të shtyjë status quo-në edhe për disa vite të tjera. Së dyti, synojmë marrëdhënie të normalizuara me Serbinë, si dy vende fqinje. Së treti, përmes kësaj marrëveshjeje dhe njohjes reciproke, ne anëtarësohemi në OKB, pastaj në Këshillin e Europës, OSBE e NATO dhe kemi një perspektive të qartë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Së pesti, njohja reciproke do të pasohet me një proces korrigjimi të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi ai.
Por, çfarë nënkupton korrigjimi? Opozita, aktorë të shoqërisë civile dhe pjesa dërrmuese e mediave e nënkuptojnë këtë si shkëmbim territori, ku Kosovës i kalon Lugina e Preshevës, Medvegja e Bujanoci në rastin më të mirë, por heq dorë prej Veriut. Thaçi e mohon.
“Nuk do të ketë një ndarje të Kosovës, nuk do të ketë shkëputje të pjesës veriore të Kosovës”, shton ai.
Presidenti kosovar përjashton edhe tezën që i mëshon më fort krijimit të një republike autonome, të ngjashme me modelin e Republikës Srpska në Bosnje. Ai përjashton gjithashtu edhe mundësinë e shkëmbimit të popullsisë.
“Nuk do të ketë as Republikë Srpska në Kosovë. Marrëveshja nuk do të prekë komunitetin shumëetnik të Kosovës. Kosova do të ketë dhe ruajë me ligj dhe Kushtetutë të drejtat e mimnoriteteve të saj”, vijoi ai.
Hashim Thaçi i quan absurde qëndrimet që thonë se një ndryshim kufijsh do të nxiste një konflikt të armatosur në rajon.
“Përkundrazi, procesi do të shënonte fundin e një konflikti të gjatë dhe jo fillimin e një konflikti të ri. Koha e luftrave mes Kosovës dhe Serbisë ka kaluar dhe duhet të përfundojë tërësisht duke vënë kufirin e qartë përmes marrëveshjes së madhe politike mes dy vendeve”, vijoi ai.
Presidenti Thaçi thotë se ideja e tij ka mbështetjen ndërkombëtare, që nga Departamenti Amerikan i Shtetit, e deri tek institucionet e Bashkimit Europian. Ai përjashton mundësinë që Kosova të dalë e humbur nga pakti me Serbinë dhe humbjen e sheh nëse nuk realizohet ky pak.
“Nëse e humbasim këtë rast, pas zgjedhjeve për institucionet e Bashkimit Europian do të gjendemi ne si Kosovë dhe rajoni në përgjithësi përballë një BE më të mbyllur. Do të thotë më pak vëmendje dhe vendosmëri për të shtyrë përpara procesin e zgjerimit të BE në ballkan. Ne si Kosovë rrezikojmë që të mbetemi anashakaluar në agjendën e BE dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare”, u shpreh ai.
Sipas Thaçit, qytetarët e Kosovës do të humbasin edhe në pjesën e zhvillimit ekonomik.
“Pa njohje nga 5 shtetet e Bashkimit Europian, pa ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, me një Serbi që ende nuk e ka njohur Kosovën, do të vonohen të gjitha proceset e konsolidimit si shtet në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Nëse vendet e rajonit do të përqëndrohen te zhvillimimi ekonomik, ne do të jemi duke udhëtuar nëpër botë për të marrë një njohje, apo anëtarësim në një institucion ndërkombëtar”, mendon Thaçi.
“Shqiptarët s’duan të flasin për thelbin”
Hashim Thaçi thotë se në fund të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë nuk do të ketë ndarje të Kosovës, nuk do të ketë lëshime të veriut dhe as një Republikë Srpska në territorin e Kosovës. “Kufijtë” e vendosur prej tij në këto negociata janë interpretuar ndryshe në Beograd.
Aleksandër Vuçiç iu përgjigj një pyetjeje të Tanjug mbi këtë temë.
“Me sa po shoh unë, zyrtarët shqiptarë në Prishtinë nuk duan që të bisedojnë fare për thelbin e çështjes. Nuk duan të bisedojnë për bashkësinë e komunave me shumicë serbe, s’duan të bisedojnë për veriun dhe as për ujëmbledhësin e Gazivodës”, tha ai.
Presidenti serb e bëri të qartë qëndrimin e tij për këto tema.
“Serbia nuk ka kohë për të humbur dhe ne duam që të flitet sa më parë për këto tema që janë me një rëndësi të madhe si për serbët, ashtu edhe për shqiptarët”, vijoi ai.
Për Vuçiç ka ardhur koha që Beogradi dhe Prishtina të marrin përgjegjësinë e vendimeve të vështira. Por, a nënkuptojnë këto vendime ndryshime kufijsh? Për të po, edhe nëse kjo do të thotë përballje me ndërkombëtarët për Kosovën.
“Është koha për ne që të marrim në dorë fatet tona dhe jo t’u shmangemi e t’u bëjmë bisht përgjegjësive që kemi”, thotë Presidenti serb.
Ditën e premte, Vuçiç dhe Thaçi do të takohen në Bruksel me ndërmjetësimin e Federica Mogherinit. Vetë Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri kërkoi pak ditë më parë që bisedimet të mbyllen me një marrëveshje finale, që kënaq të dyja palët dhe konsolidon stabilitetin e rajonit.
A e konsolidon ndryshimi i kufijve paqen dhe sigurinë? I këtij mendimi ka dalë hapur edhe Johannes Hahn, Komisioneri për Zgjerimin.
“Palët po negociojnë ende. Le të themi, disa ide janë shfaqur. Mendoj se një marrëveshje ligjërisht e obligueshme midis Serbisë dhe Kosovës duhet të përfshijë shumë elemente. Mendoj se të dyja palët janë tani të vetëdijshme, nuk do të thosha për shqetësimet ndërkombëtare, por për kufizimet dhe brenda tyre shumë zgjidhje janë të mundshme”, deklaroi ai.
SHBA e ka sinjalizuar më herët përmes këshilltarit për sigurinë të Presidentit Donald Trump se do të mbështesë një marrëveshje mes dy vendeve, edhe nëse ajo përkthehet në ndryshime kufijsh.
“Nëse Kosova dhe Serbia bien dakord, ne nuk e kundërshtojmë rregullimin e territoreve”, deklaroi ai gjatë vizitës së fundit zyrtare në Ukrainë.
Anglia dhe Franca e kanë kundërshtuar fillimisht këtë ide, por së fundmi që të dyja vendet kanë zgjedhur heshtjen dhe të mos e komentojnë këtë çështje. E vetmja që ka ruajtur diskursin thuajse konstant për këtë temë është Gjermania. Kancelarja Angela Merkel është shprehur e vendosur për moscenim të kufijve, jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë Europën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




